top of page

Ora dimërore sjell rritje të konsumit të energjisë, pajisjet që ju rëndojnë më shumë faturën

4 hours ago
2 min read

Me kalimin nga ora verore në atë dimërore, familjet përballen me një rritje të konsumit të energjisë elektrike. Ditët më të shkurtra, errësira që bie më herët dhe përdorimi më i shpeshtë i pajisjeve shtëpiake ndikojnë në shpenzimet mujore.


Gjatë periudhës dimërore konsumi i energjisë në banesa rezulton mesatarisht 24,1% më i lartë krahasuar me muajt e verës.


Rritja më e ndjeshme vihet re te larja dhe tharja e rrobave, me 80,6%, ndërsa konsumi për ndriçimin dhe pajisjet elektronike shtohet me 63,7%. Edhe sistemet e ngrohjes dhe klimatizimit shënojnë rritje prej 6,4%, ndërsa pajisjet që qëndrojnë në gjendje pritjeje konsumojnë 4,7% më shumë energji.


Për të shmangur faturat e larta, ekspertët këshillojnë përdorimin e lavatriçes me ngarkesë të plotë dhe në temperatura 30–40 gradë Celsius. Gjithashtu, shtrydhja e rrobave me rrotullime më të larta mund të zvogëlojë kohën e përdorimit të tharëses.


Një tjetër mënyrë kursimi është zëvendësimi i llambave tradicionale me ndriçim LED, i cili mund të reduktojë ndjeshëm energjinë e përdorur për ndriçimin e banesës.


Këshillohet gjithashtu fikja e plotë e televizorëve, kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike kur nuk përdoren, pasi ato mund të vazhdojnë të konsumojnë energji edhe në gjendje pritjeje.


Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet mirëmbajtjes së sistemeve të ngrohjes. Pastrimi i filtrave të kondicionerëve, mbajtja e dyerve të mbyllura dhe shmangia e pengesave përpara radiatorëve ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës dhe përdorimin më efikas të energjisë.


Monitorimi i konsumit përmes pajisjeve inteligjente apo aplikacioneve të posaçme mund t'i ndihmojë familjet të identifikojnë pajisjet që shpenzojnë më shumë dhe të ndryshojnë zakonet e përditshme.


Me afrimin e muajve të ftohtë, këto masa të thjeshta mund të ndihmojnë në uljen e konsumit dhe mbajtjen nën kontroll të faturave të energjisë elektrike.

“KORÇA BOOM”


bottom of page