Pas bllokimit disa mujor, TikTok rikthehet në Shqipëri
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Këshilli i Ministrave ka vendosur sot heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën “TikTok”, duke i hapur rrugë rikthimit të aplikacionit në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas bllokimit të vendosur më 13 mars 2025.
Në vendimin e miratuar thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore përkatëse, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për heqjen e masave të bllokimit të aksesit në këtë platformë, duke respektuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më herët se mbyllja e TikTok do të ishte e përkohshme dhe se platforma do të rihapej sapo të arrihej dakordësia me kompaninë kineze për vendosjen e filtrave të sigurisë. Sipas tij, masa ishte marrë për shkak të ndikimit të pretenduar negativ të platformës në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse ligjore për komunikimet elektronike, mediat audiovizive dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Këshilli i Ministrave vendosi:
Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online “TikTok”, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital;
Ngarkimin e AKSK-së, në bashkëpunim me entet rregullatore, për zbatimin e vendimit;
Shfuqizimin e vendimit nr. 151, datë 6.3.2025, që parashikonte bllokimin e përkohshëm të platformës;
Ngarkimin e ministrive përkatëse dhe institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e zbatimit të vendimit.
Reagimet dhe kritikat
Kujtojmë se vendimi për bllokimin e TikTok ishte kundërshtuar asokohe nga rreth 20 organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat e cilësuan atë si një “kufizim ekstrem” të lirisë së shprehjes.
"KORCA BOOM"



















