Pesë gola në Tiranë, Skënderbeu bën një reagim të madh, por kthehet duarbosh
Tirana - Skënderbeu 3-2
(Lagonidis 27' autogol, Daci 28', Xhixha 34' / Braga 39', Musa 45+3')
Skënderbeu pëson një humbje në Abissnet Superiore. Korçarët janë mundur me rezultatin 3-2 në transfertë nga Tirana, në një ndeshje spektakolare me pesë gola, ku gjithçka u vendos që në pjesën e parë.
Bardheblutë e nisën sfidën me ritëm të lartë dhe brenda pak minutash arritën të ndërtonin një avantazh të trefishtë. Fillimisht ishte Lagonidis, i cili në minutën e 27-të i dhuroi Tiranës golin e parë, ndërsa vetëm një minutë më vonë Daci dyfishoi shifrat.
Goditja e radhës për Skënderbeun erdhi në minutën e 34-t, kur Redon Xhixha realizoi golin e tretë, duke e vendosur skuadrën korçare përballë një situate shumë të vështirë.
Megjithatë, Skënderbeu nuk u dorëzua. Në minutën e 39-të, Braga realizoi një supergol, duke ngushtuar diferencën dhe duke rikthyer shpresat për korçarët.
Në fundin e pjesës së parë, Musa shënoi edhe golin e dytë për Skënderbeun, në minutën 45'+3, duke e mbyllur fraksionin e parë me rezultatin 3-2.
Pjesa e dytë solli një tjetër histori. Skënderbeu u hodh në kërkim të barazimit dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por portieri Bekaj u kthye në një nga protagonistët e Tiranës, duke ndalur disa tentativa të Nasr.
Një moment i diskutueshëm u regjistrua në minutën e 53-të, kur pas rishikimit me VAR, arbitri ndryshoi vendimin dhe nuk akordoi penallti për Skënderbeun.
Korçarët vijuan presionin deri në fund. Nasr provoi disa herë të gjente rrugën e rrjetës, ndërsa në minutat shtesë goditi edhe shtyllën, por pa arritur të ndryshonte fatin e takimit.
Kështu, Tirana merr tri pikët e kësaj përballjeje, ndërsa Skënderbeu largohet nga kryeqyteti me një humbje, pavarësisht reagimit dhe dy golave të shënuar pas disavantazhit të trefishtë.
“KORÇA BOOM”
















