top of page

Tentoi të k*fshonte kundërshtarin dhe la skuadrën me 10 lojtarë, Pogradeci përfiton dhe fiton 3-0!

5 hours ago
1 min read

Pogradeci dhuron një tjetër paraqitje pozitive dhe ngjitet në krye të Kategorisë së Parë.


Liqenorët kanë mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 Ilirinë e Fushë-Krujës, në ndeshjen hapëse të javës së 12-të, të zhvilluar në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.


Një sfidë që mori një rrjedhë tjetër në minutën e 28-të, kur miqtë mbetën me një lojtar më pak. Santiago Selmani u ndëshkua me karton të kuq pas një episodi të pazakontë, pasi tentoi të kafshonte një futbollist të Pogradecit.


Superioritetin numerik, skuadra e drejtuar nga Dritan Mehmeti arriti ta shfrytëzonte në fundin e pjesës së parë. Në minutat e fundit të këtij fraksioni, Kasmollari dërgoi topin në rrjetë, duke zhbllokuar rezultatin dhe duke çuar Pogradecin në avantazh në dhomat e zhveshjes.


Në pjesën e dytë, liqenorët vijuan të kontrollonin lojën dhe vulosën suksesin me dy gola të tjerë. Protagonisti kryesor ishte Godswill Chinwendu, i cili realizoi një dopietë në minutat 70 dhe 90'+2, duke kompletuar fitoren 3-0.


Tri pikë me shumë vlerë për Pogradecin, që falë këtij suksesi ngjitet në vendin e parë të Kategorisë së Parë me 23 pikë, dy më shumë se Besa dhe Iliria, që ndjekin në renditje.


Një fitore që konfirmon ambiciet e liqenorëve për të qenë protagonistë në garën për objektivat e sezonit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page