Skënderbeu humbi 3-2, Ahmataj ngre pretendime për arbitrin: Ishte moment vendimtar!
Trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, nuk e ka kapërdirë lehtë humbjen 3-2 ndaj Tiranës.
Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku i korçarëve ka ngritur pretendime për një penallti të mohuar, duke theksuar se episodi mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit.
Ahmataj e pranoi se skuadra e tij pësoi një goditje të fortë psikologjike pas golit të parë, që erdhi nga një devijim i pafat i mbrojtjes dhe përfundoi në rrjetë. Sipas tij, brenda vetëm shtatë minutash Skënderbeu e pa veten në disavantazh të trefishtë, por reagimi i futbollistëve tregoi forcën e grupit.
Megjithatë, momenti ku trajneri ndalet më gjatë është episodi i pretenduar për 11-metërsh.
Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, arbitri duhej të kishte akorduar penallti për Skënderbeun, por preferoi që vendimin përfundimtar t'ua linte specialistëve të gjykimit.
Sipas Ahmatajt, ky episod ishte veçanërisht i rëndësishëm, pasi një gol nga pika e bardhë do të barazonte shifrat dhe do t'i jepte skuadrës një shtysë të madhe psikologjike për të tentuar përmbysjen.
Në prononcimin e tij, tekniku korçar përmendi edhe mungesat e rëndësishme në këtë sfidë, duke theksuar se Skënderbeut i mungonin sulmuesi kryesor, kapiteni dhe një qendërmbrojtës. Sipas tij, bëhej fjalë për lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë peshë të veçantë në organizimin dhe reagimin e skuadrës gjatë ndeshjeve.
Pavarësisht humbjes, Ahmataj vlerësoi reagimin e ekipit pas disavantazhit 3-0, ndërsa pretendimi për penalltinë e mohuar mbetet një nga çështjet kryesore të diskutimit pas përfundimit të sfidës.
“KORÇA BOOM”
















