Pesë të dyshuar për rrëmbim dhe shantazh, policia sekuestron armë dhe para
- Korca Boom
- Nov 10, 2025
- 1 min read
Një 27-vjeçar u hoq nga liria për disa orë dhe u dhunua fizikisht në një apartament, me qëllim që t’u jepte autorëve 5,000 euro. Janë identifikuar pesë shtetas, dy prej të cilëve janë vënë në pranga, ndërsa tre të tjerët shpallen në kërkim.
Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, organizoi punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të policisë, u identifikuan pesë autorët e dyshuar, u kapën dhe u vunë në pranga dy prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç, dhe A. N., 24 vjeç, ndërsa tre të tjerët shpallen në kërkim: K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet me metoda proaktive, dyshohet se këta pesë shtetas kanë bashkëpunuar për t’i marrë para viktimës. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i hoqën lirinë dhe e dhunuan fizikisht 27-vjeçarin në ambientet e apartamentit. Pasi ai iu dorëzoi 5,000 euro, ata e kanosën sërish për të marrë një shumë tjetër.
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit A. K., 60 vjeç (babai i L. K.), u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua si provë materiale. Në dhomën e L. K. u gjetën gjithashtu 5,000 euro, që dyshohet se i ishin marrë viktimës.
"KORCA BOOM"



















