Pl*mba në Athinë/ Shqiptari me pesë identitete përplaset me policinë, pranë tij gjenden edhe granata
- 10 hours ago
- 2 min read
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Mikrolimanos në Athinë, ku një shtetas shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë greke.
Sipas autoriteteve greke, incidenti ndodhi gjatë një operacioni të forcave të anti-krimit, të cilat po monitoronin dhe kërkonin të ndalonin një person të dyshuar si pjesë e një bande të përfshirë në gjobëvënie dhe aktivitete kriminale në zonë.
Burime nga policia bëjnë me dije se efektivët civilë iu afruan të dyshuarit për ta neutralizuar, por situata degradoi në pak sekonda. Sapo kuptoi praninë e policisë, shqiptari dyshohet se ka nxjerrë armën, duke detyruar efektivët të reagojnë menjëherë. Pas kësaj nisi një shkëmbim i shkurtër zjarri mes palëve.
Si pasojë e përplasjes së armatosur, shtetasi shqiptar mbeti i plagosur rëndë. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit “Atikon”, ku ndodhet nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga autoritetet greke, personi i plagosur rezulton i regjistruar në sistemin policor me pesë identitete të ndryshme. Konkretisht, ai figuron me emrat Astrit Hasani, Titi Jorgo, Niko Niku, Hasan Hastani dhe Xhelo Hasani, çka ka shtuar dyshimet e hetuesve mbi aktivitetin e tij kriminal dhe përdorimin e identiteteve të shumëfishta.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara pranë vendit të ngjarjes, policia greke gjeti edhe një çantë që përmbante gjashtë granata difensive, të cilat dyshohet se i përkisnin të dyshuarit. Zbulimi i arsenalit ka ngritur alarmin tek autoritetet, të cilat po hetojnë nëse ai ishte i përfshirë në aktivitete të organizuara kriminale apo në përgatitje të ndonjë sulmi tjetër.
Hetimet për ngjarjen po kryhen nga njësia anti-krim e Drejtorisë së Policisë së Atikës, ndërsa autoritetet greke pritet të zbardhin më shumë detaje mbi identitetin e vërtetë të shqiptarit dhe lidhjet e tij të mundshme me grupet kriminale që veprojnë në Greqi.
"KORÇA BOOM"
















