top of page

Plazhet bosh, bizneset në panik: Rama paralajmëron ‘shkundje’ të bashkive dhe ndryshime të mëdha

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 10, 2025
  • 2 min read

Kryeministri Edi Rama, në një dalje publike këtë të diel në rrjetet sociale, ka pranuar për herë të parë se situata e turizmit këtë verë nuk është aspak ajo që është paraqitur më parë në deklaratat zyrtare dhe propagandën mediatike.


Në mes të muajit gusht, një periudhë që tradicionalisht përkon me kulmin e sezonit turistik, Rama pranoi se plazhet janë bosh dhe se situata reale është ndryshe nga ajo që është shitur për muaj të tërë.


Ai paralajmëroi se për sezonin e ardhshëm turistik do të ketë masa të ashpra, të cilat do të shpallen në muajin shtator. Sipas tij, një pjesë e bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit nuk po veprojnë me vizion afatgjatë, por me logjikën e përfitimit të menjëhershëm, duke dëmtuar jo vetëm veten, por edhe imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.


Sipas kryeministrit, nëse vijon kjo praktikë, investimet që po bëhen sot nuk do të jenë të qëndrueshme në të ardhmen, pasi çmimet e larta po e bëjnë Shqipërinë një vend të shtrenjtë për pushuesit, çka mund të ndikojë negativisht në kthimin e investimeve.


Ai shtoi se për vitin tjetër do të merren masa konkrete për menaxhimin e plazheve, ku bashkitë do të kenë më shumë kompetenca, por edhe më shumë përgjegjësi për të përmirësuar situatën në terren. Për të arritur këtë, sipas Ramës, nevojitet një shkundje e pushtetit vendor dhe rritje e performancës së bashkive në gjithë vendin.

Gjithashtu, ai konfirmoi se programi i rilindjes urbane do të vazhdojë për katër vite të tjera, duke u shtrirë si një proces i përhershëm dhe jo si një aksion i përkohshëm.


Në lidhje me ndërtimet pa leje, kryeministri u shpreh se pjesa më e madhe janë tashmë sekuestruar, ndërsa për rastet e tjera po vijon procesi i konfiskimit. Ai i bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast zaptimi të hapësirave publike përmes platformës “Hapësira ime publike”, në mënyrë që të identifikohen dhe ndëshkohen shkeljet.

Sipas tij, nuk është detyra e kryeministrit të bëjë punën e drejtorëve, por është përgjegjësia e tij të shkundë ata që nuk e bëjnë punën siç duhet.

“KORÇA BOOM”


bottom of page