Pogradeci–Besa 0-0, Çela pranon hapin fals
- Korca Boom
- 21 hours ago
- 1 min read
Emiljano Çela ka folur pas barazimit pa gola që Pogradeci regjistroi në shtëpi ndaj Besës. Trajneri i liqenorëve e konsideroi rezultatin si një hap fals, por u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës.
Sipas Çelës, Pogradeci duhej ta fitonte këtë ndeshje, duke qenë se luante në shtëpi, por i mungoi konkretizimi në zonat vendimtare. Ai theksoi se skuadra kishte nevojë për më shumë qetësi në ndërtimin e lojës, më shumë veprime një kundër një dhe ndërrime krahu për të shfrytëzuar hapësirat që u krijuan gjatë lojës.
Trajneri vlerësoi faktin që ndeshja ishte e luftuar dhe pranoi se Besa është një ekip i ndërtuar për të synuar Superligën, duke shtuar se barazimi ishte një rezultat i drejtë. Çela u ndal edhe te mungesa e përgatitjes së plotë të ekipit, duke theksuar se disa lojtarë si Shanaj, Lleshi dhe Dragoshi kanë vetëm pak ditë që janë bashkuar me skuadrën dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur.
Ai u shpreh i kënaqur nga ana fizike dhe nga mënyra si ekipi menaxhoi tranzicionet, duke shtuar se ndeshja ishte nga ato që mund të zgjidhej me një gol. Sipas tij, Pogradeci mund ta fitonte, por edhe ta humbiste takimin, ndërsa mungesa e fatit bëri që rezultati të mbetej i pandryshuar.
Në fund, Çela theksoi se ekipi ka dëshirë dhe është i pozicionuar mirë, duke premtuar se Pogradeci do të luftojë deri në fund për të qenë kandidat mes dy skuadrave më të mira.
"KORCA BOOM"



















