POLICIA/ 3 raste të paligjshmërisë së kufirit. Ja deklarata e policisë së Korçës!
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
DVKM Korçë / Goditen në PKK Qafë Thanë Tushemisht dhe në PKK Kapshticë, 3 raste të paligjshmërive në kufi.
Gjatë kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë konstatuan, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 3 raste të paligjshmërive në kufi.
Konkretisht:
Në PKK Qafë Thanë dhe Tushemisht:
1- Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi P. K., 66 vjeç, banues në Berat, u gjet një sasi produktesh ushqimore të pashoqëruara me faturë. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 66-vjeçarin, për veprën penale “Kontrabandë me mallra të tjera”.
2- Nga shërbimet e Policisë Kufitare Pogradec, gjatë patrullimit në afërsi të fshatit Lin, është konstatuar shtetasi R. S., 47 vjeç, banues në fshatin Lin, tek i cili, gjatë kontrollit, u gjetën produkte ushqimore të papajisura me fatura blerjeje. Nga verifikimi i bërë, rezulton që 47-vjeçari ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin, për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Gjithashtu, mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Në PKK Kapshticë u kap shtetasi A. K., 36 vjeç, banues në Prrenjas, pasi nga verifikimi i bërë rezultoi që ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve, filloi procedimi penal ndaj 36-vjeçarit, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Kontrollet kundër paligjshmërive në kufi dhe tentativave për të lëvizur ilegalisht vijojnë, krahas punës për menaxhimin e fluksit dhe ofrimin e një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë për qytetarët.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”



















