Policia apel shoferëve: Respektoni kufijtë e shpejtësisë dhe mos drejtoni të dehur, jeta nuk ka kthim
- Korca Boom
- Jan 3
- 2 min read
Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë pas reshjeve të dëborës dhe temperaturave të ulëta që favorizojnë ngricat dhe akullin, veçanërisht në zonat malore. Apeli vjen pas shkeljeve të shumta të konstatuara gjatë dy ditëve të para të Vitit të Ri 2026, disa prej të cilave kanë përfunduar tragjikisht.
Sipas policisë, në akse ku shpejtësia e lejuar është 80 dhe 90 km/h, disa drejtues janë konstatuar duke drejtuar me shpejtësi nga 171 deri në 216 km/h, në kushte të papërshtatshme dhe me fushëpamje të kufizuar për shkak të errësirës.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Policia apelon për drejtim të kujdesshëm, respektim të kufijve të shpejtësisë dhe përshtatje të shpejtësisë me kushtet e rrugës, si dhe për mosdrejtim të automjeteve nën efektin e alkoolit.
APEL I POLICISË RRUGORE PËR RESPEKTIM ME RIGOROZITET TË RREGULLAVE TË QARKULLIMIT RRUGOR
Nisur nga moti i keq, me reshje dëbore në zonat malore dhe temperatura që favorizojnë ngricat dhe akullin, si dhe nga shkeljet e shumta, deri në fatalitete, të konstatuara gjatë dy ditëve të para të Vitit të Ri 2026, shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur prezencën në rrugë, duke angazhuar të gjitha mjetet logjistike në dispozicion.
Nga mjetet inteligjente të matjes së shpejtësisë, përfshirë poliskanin, si dhe përmes kryerjes së alkooltestit, deri në këto momente janë konstatuar dhjetëra shkelje të shpejtësisë dhe raste të drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit.
Në akse rrugore ku shpejtësia e lejuar është 80 dhe 90 km/h, janë evidentuar shkelje ekstreme, me shpejtësi që variojnë nga 171 km/h deri në 216 km/h, në kushte atmosferike të papërshtatshme dhe me kufizim të fushëpamjes për shkak të errësirës.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve të konstatuar në shkelje, që përbëjnë rrezik serioz për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Policia Rrugore apelon për drejtim të kujdesshëm, respektim të kufijve të shpejtësisë, përshtatje të saj me kushtet e rrugës dhe të motit, si dhe për mosdrejtim të automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor.
Jeta nuk ka kthim!
“KORÇA BOOM”



















