top of page

Policia Kufitare në Korçë godet tre raste, një i kërkuar ndërkombëtarisht dhe dy për kontrabandë

11 hours ago
1 min read

Policia Kufitare e Korçës ka zhvilluar kontrolle intensive bazuar në analizën e riskut, me qëllim kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e paligjshmërive në kufi.


Gjatë operacionit janë zbuluar tre raste, ku është kapur një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe janë goditur dy raste të kontrabandës së mallrave.


Në pikën kufitare të Goricës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kapur në hyrje të Shqipërisë një 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, me inicialet T. P., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena.


Sipas policisë, Gjykata Rajonale e Vjenës, me vendimin e datës 4 gusht 2025, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për veprën penale “Vrasja”, mbetur në tentativë.


57-vjeçari është arrestuar përkohësisht me qëllim ekstradimin drejt Austrisë. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët austriakë, po vijon procedurat për ekstradimin e tij.


Dy raste kontrabande në Kapshticë


Ndërkohë, në pikën kufitare të Kapshticës janë zbuluar edhe dy raste të kontrabandës së mallrave.


Gjatë kontrolleve në vijën e dytë, në një autobus që drejtohej nga shtetasi Sh. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, policia gjeti mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara, mes tyre cigare, produkte ushqimore, medikamente, vaj dhe pjesë automjetesh.


Në një tjetër autobus, të drejtuar nga shtetasi M. G., 29 vjeç, gjithashtu banues në Tiranë, u gjetën steka me cigare të dyshuara të kontrabanduara.


Në përfundim të veprimeve, 55-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa 29-vjeçari u procedua penalisht në gjendje të lirë.


Të gjitha mallrat e gjetura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.


Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

“KORÇA BOOM”


bottom of page