Policia në kërkim të autorëve të atentatit, gjendet automjeti i djegur në Krujë
- Korca Boom
- Nov 11, 2025
- 1 min read
Një automjet është gjetur i djegur në fshatin Halil të Krujës, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit të ndodhur paraditen e kësaj të marte pranë aeroportit të Rinasit, ku një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë.
Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm 100 metra larg aeroportit të Rinasit, në një zonë të populluar dhe me trafik të lartë, duke shkaktuar panik tek qytetarët që ndodheshin aty pranë. Hetimet paraprake tregojnë se autorët mund ta kenë ndjekur automjetin e viktimës për rreth tre kilometra, përpara se të hapnin zjarrin në lëvizje.
Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ku pak minuta më vonë u gjet i djegur një automjet që dyshohet të jetë përdorur për t’u larguar nga vendngjarja.
Në terren janë angazhuar forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe grupet speciale të RENEA-s, të cilat po kërkojnë në zonën e Fushë-Krujës për gjurmët e autorëve. Ndërkohë, policia dhe prokuroria kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë aksit Rinas–Fushë-Krujë, me qëllim identifikimin e të përfshirëve në këtë atentat në stil mafioz.
"KORCA BOOM"



















