top of page

Portat e Korçës nuk hapen më shpesh, por ende flasin për ata që dinë të dëgjojnë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Oct 1
  • 2 min read

Xhulja Pecani, specialiste në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë, ka sjellë për publikun një ekspozitë fotografike me 24 imazhe që dokumentojnë disa nga portat më të vjetra dhe më karakteristike të qytetit juglindor.

Për autoren, këto porta nuk janë thjesht pjesë e arkitekturës, por mbartin me vete identitetin e qytetit dhe historinë e familjeve që dikur banonin në këto shtëpi. Ajo shprehet se ky projekt ka marrë rreth pesë vite për realizim, duke udhëtuar lagje më lagje dhe duke dokumentuar portat që ende qëndrojnë, shumë prej tyre në shtëpi të braktisura.


“Këto që shihni janë vetëm një pjesë. Kanë elementë të trashëgimisë kulturore të dallueshëm dhe shfaqin vlera të larta artistike. Shumica e banesave janë të braktisura, banorët janë në emigracion dhe portat kanë mbetur të tilla siç ishin,” shprehet Pecani.

Nga ana tjetër, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore bën me dije se ekziston një projekt për ruajtjen e elementëve të veçantë të banesave karakteristike në zonën e mbrojtur urbane, ku përfshihen edhe portat si pjesë me rëndësi të veçantë.


“Objektet që mbajnë elementë të trashëgimisë kulturore, siç janë portat, kur kalojnë në Këshillin e Restaurimit, trajtohen me kujdes. Në raste të veçanta, kur objekti nuk ka vlera arkitekturore, por porta po, sugjerimi ynë është që ajo të ruhet ose të zëvendësohet me elementë që respektojnë trashëgiminë kulturore,” tha Amanda Cici, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.


Restauratori Alfred Vija, i cili merret prej vitesh me rikthimin në jetë të banesave të vjetra në Korçë, shpjegon se shumica e pronarëve janë të interesuar për të ruajtur identitetin e portave dhe dritareve tradicionale. Megjithatë, sfida më e madhe mbetet kostoja e lartë e restaurimit.


“Restaurimi kërkon kohë dhe shpenzime. Megjithatë, shumica e banorëve që kemi pasur në lagjet 1 dhe 2 kanë kërkuar të mbajnë origjinalitetin. Është dëshirë që ekziston, por pengohet nga mundësitë ekonomike,” u shpreh ai.

Lagjet karakteristike 1, 2, 3, 10 dhe 12 të qytetit të Korçës përfshihen në zonën e mbrojtur nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore. Çdo ndërhyrje në këto lagje, përfshi ndërtimin e një banese të re, duhet të respektojë dhe ruajë patjetër vlerat arkitektonike të trashëguara

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page