top of page

Presidenti Begaj lëviz ambasadat, ndryshime të mëdha në përfaqësitë shqiptare

  • 2 days ago
  • 1 min read

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot lirimin nga detyra të pesë ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, si rezidentë ashtu edhe jorezidentë.


Mes tyre përfshihen Riza Poda, i cili shërbente si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën Popullore të Kinës, si dhe njëkohësisht në disa vende të tjera aziatike në cilësinë e ambasadorit jorezident. Po ashtu është liruar nga detyra Bardhyl Canaj, ambasador në Republikën e Serbisë.


Nga detyra është liruar edhe Sami Shiba, i cili mbante postin e ambasadorit në Republikën Arabe të Egjiptit, si dhe një sërë akreditimesh jorezidente në disa shtete të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.


Në listë përfshihen gjithashtu Vasilika Hysi, ambasadore në Misionin e Përhershëm pranë OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare në Gjenevë, si dhe Albana Dautllari, ambasadore në Mbretërinë e Belgjikës dhe njëkohësisht e akredituar edhe në Luksemburg.


Në të njëjtin vendim, Presidenti Begaj ka dekretuar edhe emërimin e dy ambasadorëve të rinj. Gazmend Barbullushi është emëruar ambasador në Mbretërinë e Belgjikës dhe njëkohësisht në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Ndërkohë, Albana Dautllari është emëruar ambasadore në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian.


Këto ndryshime vijnë në kuadër të riorganizimeve në shërbimin diplomatik shqiptar, duke prekur disa prej përfaqësive kryesore të vendit jashtë territorit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page