top of page

Profesor Orlando, shiko veten para se të gjykosh të tjerët / Reagim nga klubi i Pogradecit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 19 hours ago
  • 2 min read

I dashur Profesor Orlando

Po ju drejtohem personalisht, si përfaqësues i Klubit të Volejbollit të Pogradecit, për të ndarë disa mendime që më lindin nga dashuria për sportin dhe respekti ndaj figurës suaj.

Kam ndjekur shpesh prononcimet tuaja në media dhe, po e them hapur, jam ndjerë i zhgënjyer.


Kisha pritshmëri të mëdha nga ju, jo vetëm për profesionalizmin, por edhe për mbiemrin që mbani një mbiemër me histori dhe peshë të madhe në volejbollin shqiptar. Edhe pse i ri dhe nuk kam përjetuar kohën kur i ndjeri babai juaj bënte histori me Dinamon, e di mirë çfarë ka përfaqësuar ai për sportin tonë.


Zhgënjimi im vjen nga mënyra se si, pas çdo ndeshjeje, kërkoni fajin te kundërshtari, sikur ai të mos ketë të drejtë të hyjë në fushë për të fituar ashtu siç hyni edhe ju. Ne, ndryshe nga ju, kur humbasim, përpiqemi të analizojmë gabimet tona, jo të kërkojmë justifikime jashtë vetes.


Dua gjithashtu t’ju kujtoj se shpesh, në deklaratat tuaja, ju dhe bashkëpunëtorët tuaj keni pasur tendencën të nënvlerësoni Pogradecin një qytet i vogël, por që dashuron sportin dhe mikpret këdo me respekt. Pogradeci ju ka pritur me korrektësi dhe mikpritje, si dikur kur drejtonit Skënderbeun, ashtu edhe sot me Dinamon.


Ne jemi të investuar në sportin e pastër. Hyjmë në çdo ndeshje për të fituar pse jo, edhe për titullin kampion por qëllimi ynë kryesor mbetet ta ruajmë frymën e garës, miqësisë dhe respektit për publikun tonë. Buxhetet tona janë të qarta dhe transparente, ndryshe nga disa të tjera për të cilat dëgjojmë zëra e dyshime. Nuk është e drejtë që përpjekjet tona të injorohen, ashtu siç ndodh ndonjëherë në prononcimet apo statuset që ju publikoni në rrjete sociale.


Si një këshillë miqësore, Profesor, ju ftoj të shihni më shumë nga vetja dhe ekipi juaj përpara se të paragjykoni kundërshtarët që kërkojnë vetëm të luajnë ndershëm e barabartë.


Një trajner i mirë flet më shumë me punën në stërvitje, jo me komentet e nxehta pas ndeshjeve apo me postimet në Facebook.


Tani që duket se keni gjetur “armiqtë” tuaj në aksin Shkodër–Pogradec, po e mbyll me një shprehje tipike shkodrane: “Të hyftë vedi në qef.”


Ne, si pogradecarë, do të vazhdojmë t’ju presim e t’ju përcjellim me respekt dhe mikpritje, ashtu siç i ka hije qytetit tonë fisnik edhe pse ju vetë keni guxuar të na quani “provincialë”, në kohën kur ndesheshim me Dinamon e Maggialetit dhe aspironit t’i zinit vendin (siç edhe ndodhi).


Me respekt, Dorian Latifllari: Administrator, Qendra Multifunksionale Pogradec

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page