top of page

Përkujtojmë sot me nderim mësuesin e edukimit fizik dhe sportistin e palodhur, Ilia Jorgji

  • 2 days ago
  • 1 min read

I lindur më 22 qershor 1934 në Korçë, Ilia Jorgji ia kushtoi gjithë jetën arsimit dhe sportit.


Pas përfundimit të Teknikumit të Fiskulturës në Tiranë, ai nisi karrierën si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë, ku punoi me përkushtim dhe pasion të veçantë.


Gjatë veprimtarisë së tij, ai kontribuoi jo vetëm si mësues, por edhe si organizator, trajner dhe drejtues sportiv. Ndërtoi kënde sportive në disa shkolla, shërbeu si inspektor i atletikës dhe gjimnastikës, si trajner i ekipeve të skive të klubit “Skënderbeu”, duke i udhëhequr drejt disa titujve kampionë kombëtarë. Ai ishte gjithashtu ndër nismëtarët e zgjerimit të stadiumit të Korçës dhe kontribuoi në zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe të skive në rajon.


Përveç sportit, Ilia Jorgji ishte i apasionuar edhe pas fotografisë dhe dokumentimit të historisë sportive të Korçës. Ai organizoi ekspozita fotografike, botoi kalendarin sportiv “Korça sportive në vite” dhe ruajti me përkushtim kujtesën e sportit korçar.


Puna dhe kontributi i tij u vlerësuan me dekorata dhe tituj të rëndësishëm, ndër të cilët Medalja “Naim Frashëri”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit III, Distinktivi “Mësues i dalluar” dhe titulli “Mësues i merituar”.


Kujtimi i Ilias mbetet i gjallë tek të gjithë ata që patën privilegjin ta njohin dhe të mësojnë prej tij.

“KORÇA BOOM”


bottom of page