top of page

Qeveria miraton rritjen e pagave për vitin 2026: Indeksim 2.5% për administratën publike

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 1 min read

Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh që parashikon indeksimin e pagave dhe elementeve përbërëse të tyre për disa kategori të administratës publike për vitin 2026. Sipas vendimit, rritja e përgjithshme do të jetë 2.5% për të gjithë ata që përfshihen në paketën e miratuar.


Përveç indeksimit të përgjithshëm, vendimet parashikojnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, si dhe të pagës referuese bazë për funksionet në sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë. Gjithashtu, përditësime të veçanta janë parashikuar edhe për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe kategori të ndryshme specialitetesh në administratën publike.


Në paketë përfshihet gjithashtu personeli i sistemit shëndetësor, për të cilin do të aplikohet indeksimi sipas skemës së përcaktuar nga vendimet përkatëse. Në disa sektorë janë parashikuar edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve, në funksion të natyrës së punës dhe përgjegjësive përkatëse.


Efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026. Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të kenë efekt financiar që nga data 1 janar 2026.


Kjo rritje pritet të përmirësojë gjendjen e punonjësve të administratës publike dhe të disa sektorëve kyç, duke ofruar një stabilitet të shtuar për pagat dhe kompensimet gjatë vitit të ardhshëm.

"KORCA BOOM"


bottom of page