top of page

Rama premton, barna për Onkologjikun dhe rritje pagash për mjekët

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mjekë, infermierë dhe stafin teknik, ku mbajti edhe një fjalim nga Shërbimi Onkologjik. Kreu i qeverisë deklaroi se me buxhetin e ri do të garantohet furnizimi i plotë me medikamente për të gjithë pacientët onkologjikë, si dhe rimbursimi për rreth 400 mijë qytetarë.


“Do sigurojmë të gjithë sistemin onkologjik me barna. Kjo do të bëhet përmes rrjetëzimit të shërbimit edhe në spitalet rajonale, duke garantuar protokollet dhe furnizimin e plotë me ilaçe. Kemi vendosur një buxhet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë”, u shpreh Rama, duke theksuar se këto masa janë pjesë e vizionit të qeverisë për shëndetësinë.


Kryeministri nënvizoi gjithashtu se do të vijojë investimi në platformën e QSUT-së dhe në Institutin Kombëtar të Tumoreve, me synimin për krijimin e një rrjeti kombëtar onkologjik. Ai theksoi se kanceri tashmë është një problem ndërkombëtar, që po shkakton humbje të mëdha jete në mbarë botën.


“Ambicia jonë është që Instituti Kombëtar i Tumoreve të jetë pjesë e një rrjeti kombëtar funksional, sepse kanceri nuk është më vetëm problem kombëtar, por ndërkombëtar”, tha Rama.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te bluzat e bardha, duke garantuar rritje pagash dhe indeksim vjetor për personelin shëndetësor. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e dixhitalizimit dhe modernizimit të sistemit shëndetësor, duke bërë të ditur se Inteligjenca Artificiale do të përdoret edhe në ndërhyrjet kirurgjikale në të ardhmen.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page