Rama publikon pamje nga Shkozeti, plehrat bllokojnë kanalin dhe shkaktojnë përmbytje
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas situatës së krijuar në zonën e Shkozetit, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje si pasojë e bllokimit të kanalit nga mbetjet urbane.
Në një postim në rrjetin social X, Rama ka publikuar dy fotografi nga zona e përmbytur, duke evidentuar se mbetjet, kryesisht shishe plastike dhe plehra të hedhura pa kriter, kanë bllokuar grykën e kanalit, duke bërë të pamundur shkarkimin normal të ujërave.
“Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det. Por kur shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrin dot detin si zakonisht, sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë e ka lidhur situatën e krijuar drejtpërdrejt me mungesën e përgjegjësisë qytetare dhe ndotjen e mjedisit, duke nënvizuar se përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e kushteve atmosferike, por edhe e sjelljes së përditshme të njerëzve ndaj mjedisit.
Reshjet intensive të shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave janë angazhuar për pastrimin e kanaleve dhe normalizimin e situatës në zonat e prekura.
"KORCA BOOM"



















