Reshjet bllokojnë rrugën, kamioni me ushqime në rrezik të rrëshqasë në greminë
- 2 hours ago
- 1 min read
Aksi rrugor Gramsh–Kukur Road vijon ende të jetë i bllokuar si pasojë e reshjeve intensive dhe rrëshqitjeve të dherave, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët e zonës dhe automjetet që qarkullojnë në këtë segment.
Sipas informacioneve, prej më shumë se 7 orësh një kamion, i cili do të furnizonte dyqanet dhe marketet e zonës me produkte ushqimore, ka mbetur i bllokuar në vendin e quajtur Përroi i Pishave. Mjeti ndodhet në një situatë të rrezikshme, pasi ekziston rreziku që të rrëshqasë drejt humnerës.
Ngjarja ka vënë në lëvizje banorët e zonës, të cilët kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për të tentuar nxjerrjen e kamionit nga zona e rrezikut. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, deri në këto momente nuk raportohet ndërhyrje nga autoritetet për zgjidhjen e situatës.
Fatmirësisht, deri tani nuk ka persona të lënduar, por përpjekjet për shpëtimin e kamionit dhe zhbllokimin e aksit rrugor vijojnë, ndërsa moti i keq dhe rrëshqitjet e dherave vazhdojnë të mbeten një kërcënim serioz për zonën.
“KORÇA BOOM”
















