Rinas, atentat në stil mafioz: Gilmando Dani shënjestra e sulmit me a*më zjarri
- Korca Boom
- Nov 11
- 1 min read
Një atentat i rëndë ka tronditur paraditen e së martës zonën e Rinasit, ku sipas burimeve të para hetimore dyshohet se është ekzekutuar Gilmando Dani. Ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin pranë aeroportit ndërkombëtar, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri armësh zjarri në drejtim të një automjeti tip “Benz”, në të cilin ndodhej viktima e dyshuar.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete kanë marrë pjesë në atentat, duke hapur zjarr në lëvizje drejt makinës së Danit. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa forca të shumta policie janë vënë menjëherë në ndjekje të tyre. Policia ka ngritur postblloqe në disa akse rrugore dhe ka nisur krehjen e perimetrit për gjetjen e automjeteve të përdorura nga autorët.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e kriminalistikës, të cilët po mbledhin prova dhe gëzhoja, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për në morgun e Tiranës për identifikim zyrtar.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po verifikohen kamerat e sigurisë përgjatë rrugës Rinas–Fushë-Krujë, ndërsa pistat e para të hetimit lidhen me të kaluarën kriminale të mundshme të viktimës.
Ndërkohë, autoritetet policore kanë bërë apel për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë parë lëvizje të dyshimta në zonë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe identifikimin e autorëve të atentatit.
"KORCA BOOM"



















