Riorganizim në Policinë e Shtetit, kush pritet të marrë drejtimet kyçe
- 9 hours ago
- 2 min read
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka hapur garën për drejtuesit e tre departamenteve kryesore në strukturën qendrore të Policisë: Policinë Kriminale, Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Kufirin e Migracionin. Ky proces vjen në kuadër të një riorganizimi të brendshëm të institucionit.
Ndryshimet e nisura në nivelet drejtuese pritet të shtrihen edhe në disa drejtori vendore, ku përfshihen qarqe si Berati, Elbasani, Korça, Gjirokastra dhe Durrësi, me synimin për të “rienergjizuar” strukturat policore.
Sipas burimeve, çdo oficer policie që mban gradën “drejtues” ka të drejtë të aplikojë për pozicionet e hapura.
Lëvizje të mundshme në krye të Policisë Kriminale
Pas katër vitesh në detyrë, pritet një ndryshim në drejtimin e Policisë Kriminale, një prej departamenteve më të rëndësishme në Policinë e Shtetit, e konsideruar si “numri dy” i strukturës.
Ky departament drejtohet që prej 1 gushtit 2022 nga Neritan Nallbati, të cilit i ka përfunduar mandati. Një nga emrat më të përfolur për ta zëvendësuar është Ervin Hodaj, aktualisht drejtor i komanduar i Policisë së Durrësit.
Gara për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Kufirin
Gara është hapur gjithashtu për Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili drejtohet që nga viti 2020 nga Pëllumb Seferi. Për këtë post, si kandidat i mundshëm përflitet Idajet Faskaj.
Ndërkohë, ndryshime priten edhe në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, që prej një viti drejtohet nga Saimir Muça, i emëruar gjatë drejtimit të mëparshëm të Policisë së Shtetit.
Priten lëvizje edhe në qarqe
Pas përfundimit të garës në këto tre departamente, pritet që drejtuesi i Policisë së Shtetit të ndërmarrë ndryshime edhe në disa qarqe ku nuk janë bërë ende lëvizje, duke përfshirë Beratin, Elbasanin, Korçën, Gjirokastrën dhe Durrësin.
Sipas burimeve, Ervin Hodaj, një nga emrat potencialë për drejtimin e Policisë Kriminale, mund të sjellë zinxhir ndryshimesh edhe në nivel vendor, nëse konfirmohet në detyrën e re.
Procesi i garës pritet të përcaktojë një fazë të re riorganizimi në Policinë e Shtetit, me synim forcimin e strukturave dhe rritjen e efikasitetit operacional.
“KORÇA BOOM”
















