Rivlerësimi i Pronave 2026: Çmimet rriten dhe tatimi ulet për pronat e vjetra
- Korca Boom
- 2 days ago
- 2 min read
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Pas dekretimit dhe botimit në Fletoren Zyrtare, ligji hyn menjëherë në fuqi, duke i hapur rrugë nisjes së procesit të rivlerësimit të pronave në të gjithë vendin.
Fushata e rivlerësimit do të zhvillohet nga janari deri në dhjetor të vitit 2026 dhe do të përfshijë të gjitha pasuritë e paluajtshme, si për individët ashtu edhe për bizneset. Procesi do të realizohet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga norma aktuale prej 15% që aplikohet në rast të shitjes së pronës.
Kjo normë përbën nivelin më të lartë tatimor të aplikuar ndonjëherë në një proces rivlerësimi, që prej rivlerësimit të parë të pronave. Tatimi do të paguhet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar aktualisht në kadastër dhe vlerës së re të pasurisë.
Për herë të parë, në këtë proces rivlerësimi do të njihet edhe amortizimi i pronës, pra vjetërsia e saj. Sa më e vjetër të jetë prona, aq më e ulët do të jetë barra tatimore që do të paguhet pas rivlerësimit.
Ndërkohë, gjatë këtij viti, me përjashtim të Tiranës, vlerat e pronave në të gjithë vendin pritet të rriten, pasi do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës. Këto çmime janë konsultuar përgjatë vitit dhe reflektojnë më afër realitetin e tregut.
Rivlerësimi i fundit i pasurive të paluajtshme u zhvillua në periudhën 2020–2022, me një normë tatimore prej 3%. Gjatë asaj fushate u rivlerësuan rreth 94 mijë pasuri të paluajtshme, në pronësi të qytetarëve dhe bizneseve.
Nga ky proces, buxheti i shtetit përfitoi rreth 138.6 milionë euro, për shkak të rritjes së çmimeve të tregut dhe aplikimit të normës tatimore përkatëse.
"KORCA BOOM"



















