Rritet numri i të prekurve me grip, mjekët: Bëni kujdes, zgjat deri në 10 ditë
- Korca Boom
- 16 hours ago
- 1 min read
Sezoni i gripit po shkon drejt pikut të tij. Në dyert e mjekëve të familjes apo atyre infeksionist ka çdo ditë me dhjetëra pacientë që paraqiten për të kërkuar ndihmë pasi simptomat e gjendjeve virale janë rënduar.
Bluzat e bardha referojnë se simptomat e gripit janë të shumta, por është parë që temperaturat e lartë që nuk bie është më e shprehura.
Infeksionistja, Alma Hoxhaj u shpreh për "Euronews Albania" se gripi këtë vit është me simptoma si kolla, dhimbje fyti, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje muskulare. Ajo shtoi se gripi mund të shfaqet edhe me diarre e te vjella.
Mjekët apelojnë që të mos nënvlerësohet një gjendje gripale, pasi mund të kemi komplikacione nga të lehtat deri tek ato më të rëndat.
Disa grupe janë veçanërisht më të rrezikuar për të bërë forma të rënda, ndaj edhe kontakti me mjekun duhet të jetë që në fillim.
Ndjekja e këshillave të mjekut, regjimi i shtratit, regjimi ushqimor dhe vaksinimi kundër gripit kanë format më të mira që mund të parandalojnë jo vetëm shtrimet në spitale por edhe fatalitetet nga gripi./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”

















