top of page

Rruga nën dhe: Rënie masivi shkëmbor paralizon qarkullimin në jug

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jan 6
  • 1 min read

Aksi nacional Tepelenë–Gjirokastër është bllokuar pasditen e sotme në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, si pasojë e rënies së një masivi shtufor në rrugë. Ngjarja ka shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve, duke krijuar radhë të gjata në të dyja anët e aksit.


Sipas informacioneve paraprake, masivi i dheut dhe shkëmbinjve është shkëputur nga shpati për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke mbuluar një pjesë të konsiderueshme të rrugës dhe duke e bërë atë të pakalueshme për automjetet. Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale dhe bllokim të qarkullimit.


Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë Policia Rrugore, e cila po menaxhon situatën dhe po orienton drejtuesit e mjeteve, si dhe punonjësit e firmës kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit. Këta të fundit po punojnë për evakuimin e baltës dhe shkëmbinjve nga rruga, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.


Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në këtë aks deri në njoftimin e radhës dhe të përdorin rrugë alternative, nëse është e mundur. Situata mbetet në monitorim, ndërsa pritet që puna për pastrimin e rrugës të vijojë deri në normalizimin e plotë të qarkullimit.

"KORCA BOOM"


bottom of page