top of page

“S’ka goditje, por shtyrje”: Gjykata e Korçës shpall të paligjshëm arrestimin e Muçllarit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Gjykata e Korçës ka vendosur të lirojë Kevi Muçllarin, të riun që u arrestua disa ditë më parë pas një konflikti me një prej këshilltarëve bashkiakë të Bashkisë së Pogradecit.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, gjykata vendosi të mos caktojë asnjë masë sigurie ndaj tij, duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin.


Sipas dosjes hetimore, sherri ka nisur në momentin që Muçllari, së bashku me disa banorë të Çërravës, kundërshtuan vendimin për dhënien me qira të disa tokave të zonës — një veprim i miratuar nga këshilli bashkiak. Gjatë debatit, ai është përfshirë në një konflikt fizik me këshilltarin Engjëll Shyti, i cili sipas Muçllarit, e kishte kërcënuar më herët.


Vendimi i gjykatës

Pas shqyrtimit të materialeve hetimore, gjykata arriti në përfundimin se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.


Avokati i Muçllarit, Endri Çela, në një deklaratë për mediat pas seancës, sqaroi:“Sapo ka përfunduar seanca gjyqësore për vlerësimin e arrestimit dhe masës së sigurisë në ngarkim të Kevi Muçllarit. Gjykata vendosi që arrestimi të vlerësohet i paligjshëm dhe të mos caktohet asnjë masë sigurie, pasi nga vlerësimi i situatës rezultoi se nuk kemi të bëjmë me goditje për shkak të detyrës, por me një shtyrje të përbashkët gjatë konfliktit.”


Sipas Çelës, organi i akuzës kishte kërkuar që arrestimi të vlerësohej i ligjshëm dhe ndaj të riut të caktohej masa e “detyrimit për paraqitje”, por kërkesa është rrëzuar nga gjykata.

Ky vendim vjen pas disa ditësh tension në Pogradec, ku banorët e Çërravës kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj vendimit të këshillit bashkiak për dhënien me qira të tokave që ata pretendojnë se i kanë në përdorim prej vitesh.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page