Shembja e rrugës Librazhd-Pogradec, reagon ARRSH: Gjendja po përkeqësohet, presim rekomandimet e shërbimit gjeologjik
- 8 hours ago
- 2 min read
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi se aksi Librazhd-Pogradec është përfundimisht i papërdorshëm për qarkullim dhe se gjendja e tij po përkeqësohet, pavarësisht ndërhyrjeve të kompanisë kontraktore “ANK” në lotin ku janë regjistruar dëmtimet më të rënda.
Kozeli tha se gjatë gjithë mbrëmjes kontraktori ka vijuar punimet me ritme të mira, por lëvizjet e terrenit dhe të urës kanë vazhduar. Ai sqaroi se ura ka pësuar një zhvendosje prej 40 centimetrash në total, ndërsa vetëm gjatë një dite është regjistruar një lëvizje prej 7 centimetrash.
Kontraktori po punon intensivisht, por autoritetet e mbajnë aksin të mbyllur. Kozeli shprehu shpresën se rruga mund të hapet gjatë ditës së nesërme, në varësi të zhvillimeve në terren.
Autoriteti Rrugor Shqiptar pret rezultatet dhe rekomandimet e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Sipas rezultateve paraprake, në zonë ekziston një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra.
Kozeli theksoi se sezoni dimëror ka qenë jashtë normales dhe se për tre muaj me radhë reshjet e shiut nuk janë ndërprerë. Ai shtoi se zona përballet çdo vit me probleme rrëshqitjesh gjatë këtij sezoni, por këtë vit situata paraqitet më e rëndë.
Drejtori i ARRSH deklaroi se kontraktori ka paraqitur dokumentacion të rregullt. Ai tha se raporti përfundimtar i Shërbimit Gjeologjik do të përcaktojë masat që duhet të ndërmerren.
Më pas, ARRSH do të mbledhë këshillin teknik për të vendosur zgjidhjen përfundimtare.
Kozeli rikujtoi se ura është ndërtuar në vitin 1997 dhe se dëmtimet e fundit e kanë përkeqësuar më tej gjendjen e saj, duke e nxjerrë jashtë funksionit.
"Gjatë gjithë mbrëmjes është vijuar me punimet nga ana e kontraktorit dhe ka pasur ritme të mira. Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes; ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme.
Kontraktori vijon punimet intensivisht, por aksi vijon të jetë i mbyllur, në shpresojmë shumë të mund ta hapim ditën e nesërme.
Jemi në pritje të rezultateve dhe rekomandimeve të shërbimit gjeologjik shqiptar. Rezultatet paraprake tregojnë se ka një plan rrëshqitjeje deri në 7 metra.
Ky sezon dimëror ka qenë jashtë normales; çdo vit në këtë sezon të vitit ka probleme të rrëshqitjeve, por si kurrë më parë kemi qenë 3 muaj pa ndërprerje shirash. Gjithë dokumentacioni është i rregullt nga ana e kontraktorit.
Raporti i shërbimit gjeologjik do të na japë rekomandimet për masat që duhet të ndërmarrim; më pas mblidhemi me këshillin teknik dhe të adresojmë zgjidhjen. Ura është e vitit ’97 dhe me dëmtimet që ka pësuar këto ditë e bën më të degraduar dhe jashtë funksionit", tha Kozeli./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















