top of page

Shkatërrohet banda që grabiste taksistë dhe qytetarë në rrugë, në pranga tre persona, mes tyre edhe një grua

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Oct 23, 2025
  • 1 min read

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Episodet”, duke goditur një grup kriminal që merrej me grabitje në kryeqytet. Tre persona janë vënë në pranga, mes tyre edhe një grua, të gjithë me precedentë penalë të mëparshëm.


Operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, pas një hetimi të shpejtë mbi disa ngjarje të ndodhura ditët e fundit në zona të ndryshme të Tiranës.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit A. Q, F. F dhe L M. Hetimet tregojnë se këta persona kanë vepruar në bashkëpunim për të grabitur qytetarë dhe drejtues mjetesh.


Sipas policisë, ditën e djeshme, Q dhe B kanë tentuar t’i vjedhin me dhunë portofolin një taksisti, ndërsa pak më vonë kanë grabitur një celular në pronësi të një shtetaseje në rrugën “Tahsim Shehu”. Pas ndjekjes policore, janë kapur dy prej tyre, ndërsa i treti është arrestuar më pas në një taksi ku ndodheshin edhe bashkëpunëtorët.


Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Bashkëpunimi”, ndërsa njëra prej tyre ishte nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për të njëjtin krim.

Gjatë operacionit u sekuestrua si provë materiali një telefon celular i vjedhur dhe prova të tjera që do të shërbejnë për hetimin e rasteve të ngjashme.


Policia po vijon hetimet për të zbardhur nëse të ndaluarit janë përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme në Tiranë dhe rrethina.

"KORÇA BOOM"


bottom of page