"Shkelën rregulloren”, Kukësi çon Bylis B në Komisionin e Disiplinës
- 1 hour ago
- 1 min read
Kukësi ka reaguar zyrtarisht pas ndeshjes “Play Out” ndaj Bylis B, duke iu drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Disiplinës për shqyrtimin e një shkeljeje të pretenduar të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike.
Në reagimin zyrtar, klubi verilindor pretendon se Bylis B ka aktivizuar në ndeshje 9 futbollistë të regjistruar me ekipin A. Sipas Kukësit, bëhet fjalë për lojtarët Ahmed Ibrahim Adepoju, Ibrahim Ademola Akibu, Renato Beqaj, Dime Dimov, Guilherme Ferreira Buranelli, Ergi Hodo, Robert Muric, Paulo Pjeshka dhe Gjorgji Stoilov.
Klubi thekson se, bazuar në nenin 52.16 të rregullores, lejohet aktivizimi i vetëm 5 lojtarëve nga ekipi A, ndërsa 3 prej tyre duhet të kenë më pak se 10 ndeshje me ekipin e parë gjatë sezonit. Sipas Kukësit, këto kritere nuk janë respektuar nga Bylis B, duke përbërë shkelje të qartë të rregullores.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Kukësi ka respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe afatet për ankimim, duke dorëzuar dokumentacionin përkatës, pamje filmike dhe protokollin zyrtar të ndeshjes.
Klubi kujton se nuk është hera e parë që raportohen raste të ngjashme me Bylis B, duke përmendur precedentë të mëparshëm ku janë marrë vendime për humbje në tavolinë për shkak të shkeljeve të rregullores.
Për këtë arsye, Kukësi kërkon zyrtarisht fitimin e ndeshjes në tavolinë, duke shprehur besimin se organet kompetente të Federata Shqiptare e Futbollit do të marrin një vendim të drejtë dhe në mbrojtje të integritetit të garës.
Në fund të reagimit, klubi falënderon tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë kësaj periudhe të tensionuar sportive.
“KORÇA BOOM”
















