top of page

Shpërthim me tritol, sulmohet banesa e 33-vjeçarit në arrest shtëpie

11 hours ago
1 min read

Një shpërthim me tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Patos, ku persona ende të paidentifikuar kanë vendosur lëndë plasëse pranë banesës së 33-vjeçarit Mateos Pashaj.


Sipas policisë, rreth orës 05:05, Pashaj ka telefonuar sallën operative dhe ka denoncuar dëmtimin e portës rrethuese të banesës së tij, që ka ardhur si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse.


33-vjeçari ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por policia nuk ka dhënë detaje për veprën penale për të cilën gjykata ka vendosur këtë masë.


Ende nuk dihet nëse sulmi lidhet me problemet e tij me drejtësinë apo me ndonjë konflikt tjetër.


"Më datë 16.11.2026, rreth orës 05:05, shtetasi M. P., 33 vjeç, banues në Patos (me masë sigurie “Arrest në shtëpi”), ka njoftuar sallën operative se i është dëmtuar porta e rrethimit të banesës, dyshohet me lëndë plasëse."-njofton policia.


Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për të përcaktuar llojin e lëndës së përdorur, identifikuar autorët e mundshëm dhe zbardhur motivin e ngjarjes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page