Skandal në QSUT/ Mjeku kirurg harron fashot në bark pas operacionit, institucionet mbyllin sytë
- Apr 19
- 4 min read
E kishim me të dëgjuar, por asnjëherë të provuar.
Mjekë kirurgë që harrojnë në barkun e pacientëve objekte që përdorin gjatë operacionit. Ja që ndodh vërtet.
Dhe kjo zonjë 66-vjeçare është protagonistja e një papërgjegjshmërie që për pak i mori jetën.
Zonja tregon për “Piranjat” se u paraqit në spital me dhimbje të forta barku dhe, pasi mori një qetësues, mjekët e adresuan për në shtëpi, një praktikë e zakonshme. Por për zonjën kjo u kthye në një problem serioz pa kaluar as 24 orë, pasi u kthye sërish në spital për t’u operuar. Një ndërhyrje që me gjasë duhej të ishte kryer që natën e parë, kur ajo u paraqit pranë urgjencës së QSUNT.
Sidoqoftë, ky është një detaj që nuk ndikon në rrjedhën e kësaj historie.
Me vonesë ose jo, mjekët bënë detyrën e tyre, duke e shtruar 66-vjeçaren më datë 18 nëntor 2025 për ta operuar po atë ditë. Ndërhyrja kishte si qëllim heqjen e një mase dhjamore poshtë barkut.
66-vjeçarja tregon për “Piranjat” dhe gazetaren Luela Gaxhja se mjeku që e operoi ishte Dr. Denis Godaj. Gjendja pas operacionit?
Kjo vërtetohet edhe nga fleta e daljes nga QSUT, që mban datën 20 nëntor 2025, e firmosur nga mjeku në fjalë, i cili, sipas protokollit, jep rekomandimet e tij, si mjekimi ambulator i plagës, rikontroll sipas nevojës dhe evitimi i peshave mbi 5 kg.
Njëkohësisht, me zbatimin e rekomandimeve, në ditët pas ndërhyrjes, zonja mban komunikim të vazhdueshëm me mjekun Godaj, duke marrë orientime për vazhdimin e kurës. Por dy javë më pas, gjendja e pacientes ndryshon dhe zonja detyrohet të shtrohet sërish në spital për ndërhyrje.
Me një gjendje shëndetësore të përkeqësuar, 66-vjeçarja kthehet në spital më datë 29 dhjetor 2025, me spazma të forta dhe të vazhdueshme të barkut, të cilat nga mjeku u klasifikuan si kolikë abdominale.
Dhe për këtë u përgatit menjëherë salla e operacionit.
Një vit i ri i festuar mes dyerve të spitalit dhe shtëpisë…
66-vjeçarja tregon për “Piranjat” se gjendja sa vinte e përkeqësohej, por ajo vijonte të shpresonte se situata do të ndryshonte. Një shpresë që nis të venitet, sepse gjendja vetëm sa përkeqësohej, duke e vënë në dyshime atë dhe familjarët se mund të kishte diçka më të rëndë sesa diagnoza fillestare. Pas dy ndërhyrjeve dhe garancisë se gjithçka kishte shkuar mirë, thuajse tre muaj nga nisja e këtij kalvari, 66-vjeçares i duhet të marrë një trajtim shtesë në privat.
Kësaj radhe për shkak të mungesës së aparaturës në spitalin shtetëror.
Në këto kushte, kur situata shëndetësore e zonjës nuk ndryshonte prej muajsh, familjarët e saj marrin një vendim: ta dërgojnë jashtë vendit.
Në Francë, ku vajza e zonjës ishte rezidente prej vitesh.
Sipas dokumentacionit, pacientja është paraqitur në spitalin “SOS Médecins” për vlerësim të dhimbjeve të barkut që kanë evoluar pas operacionit të kryer në Shqipëri. Diagnoza fillestare: dhimbje të vazhdueshme barku, rritje progresive e sekrecioneve purulente nga drenazhi dhe episode të përditshme febrile (temperaturë 38°C).
Por ajo që do të ndodhte më pas do t’i linte të gjithë pa fjalë.
Me lot në sy, 66-vjeçarja tregon se mjekët francezë i gjetën në bark fashot e përdorura gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.
Kjo vërtetohet nga dokumentet e spitalit francez, ku thuhet se gjatë ndërhyrjes është konstatuar një tekstilomë, ose kompresë kirurgjikale e harruar brenda një abscesi parietal.
Pas disa muajsh kurimi në Francë, zonja përmirësohet dhe sot, fatmirësisht, gëzon shëndet të plotë. Tashmë, për 66-vjeçaren, ajo çfarë ka ndodhur i përket së shkuarës. Gjashtë muaj pas nisjes së eksperiencës më të tmerrshme të jetës, ajo ka rigjetur qetësinë dhe kryen pa asnjë problem aktivitetin e përditshëm fizik. Ndërkohë, familjarët e saj kanë marrë një vendim:
Të vënë në dijeni institucionet shtetërore, Ministrinë e Shëndetësisë, QSUNT dhe FSDKSH.
I vetmi institucion që kthen përgjigje është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili thotë se:
“Për më tepër, ju informojmë se mes shtetit shqiptar dhe atij francez nuk ka një marrëveshje në fuqi e cila të mbulojë sigurimin shëndetësor.”
Shkurt e shqip: të vrasim dhe këtë e bëjmë falas. Nëse një spital i huaj ndërhyn dhe të shpëton, kjo është punë për ta. Për gjithë atë që ke kaluar, ne nuk është se na e ndjen shumë. Era shtet.
Ndaj, në këto kushte, “Piranja” Luela Gaxhja shkon për të pyetur mjekun kirurg pranë QSUNT për këtë situatë. Ai shprehet se nuk ka asnjë komunikim zyrtar me spitalin dhe se nuk ka dijeni për shkresat e dërguara në institucione. Ndoshta këtu doktori po thotë të vërtetën, sepse familjarët e zonjës e kanë ndjekur institucionalisht këtë skandal dhe duhej të ishin institucionet përgjegjëse që ta kishin njoftuar për hapat ligjorë që po ndërmerreshin.
Sidoqoftë, në mënyrë private ai ka qenë i informuar për dëmin e shkaktuar.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për përgjegjësi morale, sepse zonja dhe familjarët e saj janë zhytur në borxhe për të paguar në spitalin francez, aty ku jeta e saj ishte vërtet në rrezik. Dhe aty pacientja është lënë në mëshirë të fatit, ndaj u deshën francezët që t’ia shpëtonin jetën.
Mjeku kirurg kërkoi ndjesë publike. Ndaj këtu, të paktën moralisht, me miratimin e zonjës dhe familjarëve, gjërat mund të mbyllen.
Ndërkohë, nga ana ligjore, për ta nis një betejë e pabarabartë me institucionet shtetërore, të cilat me cinizëm kanë refuzuar çdo formë bashkëpunimi për të dëmshpërblyer zonjën, e cila brenda këtyre institucioneve pa vdekjen me sy./ Boldnews
“KORÇA BOOM”
















