Skandal në spital/ Mjeku akuzohet për abuzim sek*ual me 38 pacientë
- Korca Boom
- 8 hours ago
- 2 min read
Britania është tronditur thellë pas zbulimit se një mjek i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) akuzohet për abuzim seksual ndaj 38 pacientëve në spitale të West Midlands dhe Staffordshire gjatë periudhës 2017–2021.
Identiteti i tij është bërë tashmë i ditur dhe fotot e tij janë publikuar gjerësisht. Ndaj Nathaniel Spencer është ngritur një dosje e rëndë akuzash, që përfshin sulm seksual, përdhunim dhe abuzim ndaj të miturve. Spencer, 38 vjeç, pritet të dalë para gjykatës më 20 janar 2026 për t’u përgjigjur akuzave.
Nathaniel Spencer është me origjinë nga Quinton i Birmingham-it. Ai u diplomua në Medical University of Warsaw dhe mori lejen e plotë për ushtrimin e profesionit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019.
Spencer është i martuar me një dizajnere grafike polake, ndërsa çifti, që ka dy fëmijë, ndiqte rregullisht kishën Kościół Zoe, duke marrë pjesë në shërbesa dhe ceremoni, përfshirë pagëzimin e vajzës së tyre më të vogël. Fotografi të publikuara nga kisha e tregojnë Spencer-in duke marrë bekim nga pastori dhe duke kënduar në aktivitete komunitare.
Jeta e tij familjare, që shfaqej e qetë dhe e rregullt, si dhe angazhimi fetar, bien në kontrast të fortë me akuzat e rënda që po përballet, duke shkaktuar tronditje në komunitet.
Spencer përballet me gjithsej 45 akuza, mes tyre: 15 akuza për sulm seksual, 17 akuza për përdhunim, 9 akuza për abuzim seksual ndaj një fëmije nën 13 vjeç, 3 akuza për përdhunim ndaj fëmije nën 13 vjeç, 1 akuzë për tentativë përdhunimi.
Akuzat burojnë nga një hetim i gjatë policor i zhvilluar në spitalet Royal Stoke University dhe Russells Hall, ku Spencer kishte punuar. Rastet lidhen me pacientë që ai kishte trajtuar midis viteve 2017 dhe 2021.
Të dy spitalet e përfshira kanë hapur linja të posaçme komunikimi për ish-pacientët që mund të jenë të shqetësuar për kujdesin që kanë marrë. Administratat theksuan se siguria dhe mirëqenia e pacientëve mbeten prioritet absolut.
Dr. Paul Hudson, drejtor operativ i shërbimeve mjekësore në Dudley Group NHS Foundation Trust, deklaroi: “E kuptojmë se shumë pacientë, punonjës dhe anëtarë të komunitetit janë shqetësuar. Ne po bashkëpunojmë plotësisht me policinë dhe jemi të përkushtuar të mbështesim viktimat.”
Spencer pritet të dalë në gjykatë më 20 janar të vitit të ardhshëm, i akuzuar për një sërë veprash seksuale.
Licenca e Spencer u pezullua përkohësisht nga General Medical Council në tetor, në pritje të vlerësimit të përshtatshmërisë së tij për të ushtruar profesionin. Prokuroria ka konfirmuar se ekziston material i mjaftueshëm provues për të çuar çështjen përpara.
“Ne kemi vendosur të ngremë padi ndaj Nathaniel Spencer për një numër veprash të rënda seksuale ndaj pacientëve, përfshirë të mitur. Juristët tanë kanë punuar në detaje, duke mbështetur hetimin kompleks të policisë dhe duke shqyrtuar me kujdes provat e disponueshme”, ka deklaruar prokurori përgjegjës për rastin./ Oranews
“KORÇA BOOM”



















