Skënderbeu rikthehet me vizion të ri, Haxhillari garanton: Këto vajza do të jenë e ardhmja e volejbollit,
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Pas ndeshjes ka folur trajneri i Skënderbeut, Olsion Haxhillari, i cili u shpreh i kënaqur me paraqitjen e vajzave në fushë. Sipas tij, ekipi është ende në formim e sipër, por talenti i lojtareve është i dukshëm dhe vetëm me punë të vazhdueshme ky grup do të shndërrohet në një skuadër që do të ngjitet në nivele më të larta.
“Jam i kënaqur nga ajo që vajzat dhanë në fushë. Jemi një ekip i ri, në ndërtim, por këto vajza janë të talentuara. Vetëm me punë do të shikoni një ekip që do të arrijë nivele më të larta. Mosha mesatare është e vogël, por po ju them me bindje: mbajini mend këto emra sepse do të jenë e ardhmja e volejbollit tonë,” – u shpreh Haxhillari.
Në fakt, Skënderbeu është përballur së fundmi me një situatë të vështirë, pasi shumë lojtare u larguan dhe ekzistenca e ekipit u vu në pikëpyetje. Megjithatë, sipas trajnerit, kjo fazë tashmë ka kaluar dhe skuadra po sheh vetëm përpara. “Ekipi ynë do të jetë një kockë e fortë për çdo kundërshtar. Ne jemi duke punuar dhe rruga do të shihet në vijimësi. Nuk dua të bëhem shumë euforik, por mendoj se duke qëndruar me këmbë në tokë dhe duke u përqendruar tek puna, do të arrijmë të japim emocione për të gjithë sportdashësit që vijnë në Korçë, të cilët janë ndër më të shumtët në Shqipëri,” – shtoi ai.
Haxhillari theksoi gjithashtu se merkatoja nuk është mbyllur ende për Skënderbeun. Ai paralajmëroi se priten edhe dy afrime të tjera në skuadër, një prej të cilave tashmë ka mbërritur, por nuk kishte mundësi të aktivizohej në këtë ndeshje. Për të, është pozitive fakti që shumica e ekipeve pretendente për këtë sezon kanë në përbërje lojtare të formuara në Korçë, çka tregon traditën e fortë që ky qytet ka në volejboll.
Në fund, trajneri dha edhe një urim për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse: “Uroj suksese për të gjitha ekipet. Titullin le ta fitojë më i miri. Skënderbeu është aty, askush të mos mendojë se do të jemi një ekip kalimtar. Do të jemi një kockë e fortë për këdo, edhe pse vajzat janë pa përvojë. Besoj fort se me kalimin e kohës ky grup do të arrijë të fitojë.”
“KORÇA BOOM”
