SOT finalja e titullit të së parës/ Por, kush shpallet edhe golashënuesi më i mirë? Saleh Nasr 18 gola-Olsi Myrta 17 gola…
- May 4
- 1 min read
Titulli kampion i Kategorisë së Parë për sezonin 2025-2026 është verdikti i fundit që mbetet për t’u përcaktuar dhe do të vendoset sot në përballjen mes Skënderbeut dhe Laçit.
Takimi përmbyllës i sezonit të rregullt do të luhet në orën 17:00 në stadiumin e Korçës dhe mbart rëndësi të shumëfishtë për të dy skuadrat. Kjo sfidë do të përcaktojë se cila nga dy ekipet do të ngjitet në Superiore si kampione, edhe pse objektivin kryesor, promovimin, e kanë arritur tashmë të dyja. Përveç titullit, fituesi do të përfitojë edhe bonusin prej 30 milionë lekësh të akorduar nga FSHF për kampionin e Kategorisë së Parë. Skënderbeu paraqitet më i favorizuar, pasi kryeson renditjen me një pikë më shumë dhe i mjaftojnë dy rezultate: fitorja ose barazimi.
Në krahun tjetër, Laçi është i detyruar të luajë gjithçka për gjithçka, pasi vetëm tri pikët i sigurojnë titullin. Klubi korçar u ka bërë thirrje tifozëve për mbështetje maksimale përmes një mesazhi në rrjetet sociale: “Sot kurorëzojmë punën e këtij sezoni me objektivin madhor, shpalljen kampion. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj në stadium për ta rikthyer Skënderbeun në majat e futbollit shqiptar, aty ku e ka vendin”.
Në përballjet direkte të këtij sezoni, bilanci është i barabartë. Në fazën e parë, Skënderbeu triumfoi 1-0 në shtëpi me gol të Gjinit, ndërsa në fazën e dytë Laçi fitoi 2-1, falë golave të Myrtës dhe Bibos, ndërsa për korçarët realizoi Ukiçi. Ky takim është edhe një përballje mes dy golashënuesve më të mirë të kampionatit, Saleh Nasr me 18 gola dhe Olsi Myrta me 17 gola.
“KORÇA BOOM”
















