top of page

Stuhia e fortë e dëborës paralizon Bregun Lindor të SHBA-së, anulohen mbi 5700 fluturime

  • 20 hours ago
  • 3 min read

Reshje rekord deri në 94 cm, gjendje e jashtëzakonshme në disa shtete dhe ndërprerje masive të energjisë.


Një stuhi e fuqishme bore goditi të hënën (23 shkurt) Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, nga Merilendi deri në Mein, duke shkaktuar paralizë të gjerë në transport, mbyllje shkollash dhe biznesesh si dhe ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë.


Stuhia përfshiu rajonin verilindor me reshje intensive dhe erëra të forta, duke detyruar miliona njerëz të qëndrojnë në shtëpi. Autoritetet paralajmëruan për kushte të rrezikshme qarkullimi, ndërsa në disa zona shpallën gjendje të jashtëzakonshme.


Sipas meteorologëve, kjo është stuhia më e fortë që ka goditur rajonin në një dekadë. Në shumë zona trashësia e borës tejkaloi 60 centimetra, duke thyer rekorde lokale të akumulimit. Reshjet bllokuan transportin publik dhe ajror dhe çuan deri në shtyrjen e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.


Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se në disa pjesë të Rhode Island dhe Massachusetts ranë pothuajse 94 centimetra borë. Në Central Park të Nju Jorkut u regjistruan mbi 19 inç borë (rreth 48 centimetra). Autoritetet paralajmëruan se kushtet e lëvizjes në Nju Jork ishin “pothuajse të pamundura”.


Më shumë se 600 mijë banesa dhe biznese në të gjithë Bregun Lindor mbetën pa energji elektrike, me Nju Xhersin dhe Massachusetts ndër shtetet më të prekura. Në Massachusetts, sipas të dhënave nga faqja poweroutage.us, rreth 300 mijë konsumatorë u përballën me ndërprerje të energjisë, përfshirë 85% të klientëve në qarkun Barnstable, ku përfshihet zona e Cape Cod.


Rhode Island, shteti më i vogël i SHBA-së, duket se u përball me sasinë më të madhe të borës gjatë stuhisë. Sipas mediave lokale, kjo është stuhia më e rëndë që ka goditur ndonjëherë shtetin.

Në Providence, kryeqytetin e Rhode Island, u regjistruan 91,4 centimetra borë, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 72 centimetrash të vendosur në shkurt të vitit 1978.

Autoritetet në Rhode Island dhe Connecticut vendosën ndalim për lëvizjet jo thelbësore.


Më vonë gjatë ditës, guvernatorja e Massachusetts, Maura Healey, shpalli gjithashtu ndalim qarkullimi. Në një postim online, ajo njoftoi se ndalimi zbatohej për të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme në juglindje të Massachusetts dhe se kufiri i shpejtësisë në autostradën “Pike” u ul në 25 km/orë. Ajo theksoi se kushtet e udhëtimit ishin jashtëzakonisht të rrezikshme dhe paralajmëroi se në rast bllokimi, shërbimet e emergjencës mund ta kishin të vështirë të ndërhynin.


Në qytetin e Nju Jorkut, një ndalim qarkullimi e çoi përkohësisht metropolin me mbi 8 milionë banorë në paralizë të plotë, përpara se masa të hiqej në mesditë. Të gjitha rrugët, autostradat dhe urat u mbyllën gjatë kulmit të stuhisë.


Në Connecticut dhe Nju Xhersi, autoritetet shprehën shqetësim se rënia e pemëve dhe degëve mund të përkeqësonte kushtet në rrugë dhe të shkaktonte ndërprerje të tjera të energjisë. Në Providence, një zëdhënës i qytetit deklaroi për gazetën The Providence Journal se më shumë se 300 automjete u tërhoqën për shkak se ishin parkuar në zonat ku operonin mjetet e pastrimit të borës.


Sektori i aviacionit u godit gjithashtu rëndë. Sipas faqes së monitorimit FlightAware, 5.706 fluturime brenda, drejt ose nga Shtetet e Bashkuara u anuluan. Të dhënat tregojnë se 98% e fluturimeve nga aeroporti LaGuardia dhe 91% nga aeroporti JFK në Nju Jork u anuluan. Aeroporti Ndërkombëtar Logan në Boston anuloi 92% të fluturimeve në nisje, ndërsa aeroporti Newark Liberty në Nju Xhersi anuloi 92% dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Filadelfias 80%.


Autoritetet paralajmëruan se edhe të martën priten mbi 2 mijë anulime të tjera fluturimesh, me aeroportet e Bostonit dhe Nju Jorkut ndër më të prekurit.


Shërbimi Kombëtar i Motit e përshkroi stuhinë si një “ciklon bombë” klasik në brigjet verilindore. Termi përdoret për të përshkruar një stuhi që intensifikohet shumë shpejt, kur presioni atmosferik bie ndjeshëm brenda 24 orëve, zakonisht gjatë vjeshtës dhe dimrit, si rezultat i përplasjes së ajrit të ftohtë arktik me masa ajrore më të ngrohta.


Ndërkohë që stuhia po zhvendoset drejt veriut dhe po dobësohet në disa zona, Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se po monitoron një tjetër sistem që mund të sjellë reshje të reja bore në rajon më vonë gjatë javës./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page