top of page

Sula shpërthen kundër Berishës dhe Nokës: “Turp që Flamur Noka është nr.2 i PD, një fyerje për inteligjencën!”

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 31, 2025
  • 1 min read

Deputeti Dashnor Sula ka bërë deklarata të forta në emisionin “Breaking” në Top News, ku komentoi përçarjet në Partinë Demokratike dhe largimin e tij nga kjo forcë politike. Ai sulmoi ashpër strukturën drejtuese të PD-së, duke e cilësuar një fyerje për demokratët faktin që Flamur Noka mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm.


“Nuk jam nga ata servilët që thonë se Berisha është Zoti që do shpëtojë PD-në. Për mua është fyerje për inteligjencën që një njeri me zhvillim mesatar intelektual të jetë numri 2 i PD. Këtë nuk e them sot, e kam thënë prej kohësh,” – deklaroi Sula, duke shtuar se në PD nuk pranohen mendimet ndryshe dhe “nuk duhen njerëzit që ua thonë të vërtetën në sy”.


Ai akuzoi Sali Berishën për mungesë tolerance ndaj kritikëve dhe e krahasoi me Edi Ramën, duke thënë se ndryshe nga PD, PS mban në radhë edhe figurat që mund të sjellin vota, pavarësisht konflikteve të brendshme.


Sula kritikoi gjithashtu edhe përqendrimin e drejtuesve të PD nga veriu i vendit, duke kërkuar më shumë ekuilibër dhe shumëllojshmëri në përfaqësim. Ai e quajti të papranueshme kthimin në parti të personave që më parë kishin sulmuar “Foltoren” dhe tani “ulen e pinë në të njëjtën tavolinë”.


Deklaratat e Sulës shtojnë më tej tensionin dhe përçarjen në radhët e opozitës./ LAJMI FUNDIT


“KORÇA BOOM”


bottom of page