Supermarketet ndryshojnë çmimet, mbi 1,500 produkte pritet të shiten më lirë
- 1 hour ago
- 2 min read
Qeveria greke po ndërmerr masa për të frenuar rritjen e kostos së jetesës, përmes një marrëveshjeje të re me furnizuesit dhe supermarketet për uljen e çmimeve të produkteve bazë. Nisma hyn në fuqi më 31 gusht 2026 dhe do të jetë në fuqi të paktën deri në fund të dhjetorit.
Sipas transmetuesit publik grek ERT, uljet e dakordësuara deri tani arrijnë mesatarisht në rreth 7%. Furnizuesit kanë ofruar zbritje prej rreth 5%, ndërsa supermarketet pritet të shtojnë edhe 1.5 deri në 2% të tjera.
Aktualisht, marrëveshja përfshin rreth 1,100 produkte, por lista pritet të zgjerohet me 200 deri në 300 artikuj të tjerë gjatë ditëve në vijim. Nëse parashikimet e Ministrisë së Zhvillimit realizohen, numri total i produkteve me çmime të reduktuara mund të arrijë në rreth 1,500.
Në listë janë përfshirë produkte të konsumit të përditshëm, si mishi, bulmeti, vezët, makaronat, kafeja, ushqimet për bebe dhe detergjentët. Gjithashtu, pjesë e marrëveshjes do të jenë edhe artikujt shkollorë, në një periudhë kur familjet përballen me shpenzimet e fillimit të vitit të ri shkollor.
Për t’u përfshirë në nismë, produktet duhet të kenë një ulje prej të paktën 5%, ndërsa zbritja duhet të zgjasë nga dy deri në katër muaj. Për disa artikuj, uljet mund të jenë edhe më të mëdha, duke arritur në përqindje dyshifrore.
Deri tani, rreth 60 furnizues kanë shprehur interes për të marrë pjesë në marrëveshje, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bashkohen edhe kompani të tjera.
Ministri grek i Zhvillimit, Takis Theodorikakos, deklaroi se objektivi kryesor është që uljet të përfshijnë produkte të konsumit të gjerë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin familjar.
“Për dikë që llogarit me shumë kujdes sa shpenzon në supermarket, ulja e kostos mujore me 40 ose 50 euro është e rëndësishme”, deklaroi ai.
Theodorikakos theksoi se qeveria nuk duhet të jetë e vetëkënaqur, pasi jo të gjitha produktet kanë pësuar ulje dhe disa çmime vijojnë të rriten.
Sipas të dhënave të Eurostat të cituara nga ministri, çmimet e ushqimeve në Greqi shënuan në korrik një ndryshim vjetor prej -0.4%, ndërsa krahasuar me qershorin ranë me 2.3%, duke shënuar ndryshimin më të ulët mujor në eurozonë.
Nisma për uljen e çmimeve nis më 31 gusht dhe do të zgjasë të paktën deri më 31 dhjetor, me synimin për të lehtësuar presionin mbi buxhetet e familjeve greke.
“KORÇA BOOM”
















