top of page

Tatimet ashpërsojnë masat, Malaj: Pagat e deklaruara nuk përputhen me realitetin e tregut

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka folur për aksionin e ndërmarrë nga Administrata Tatimore në terren kundër nëndeklarimit të pagave, duke theksuar se subjektet që nuk kanë reflektuar pas mesazheve ndërgjegjësuese do të jenë objekt i kontrolleve të thelluara.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 25% e punonjësve në vend deklarohen me paga 40–50 mijë lekë, 22% me paga 50–70 mijë lekë, ndërsa vetëm 7% rezultojnë të deklaruar me paga mbi 120 mijë lekë. Ministri Malaj theksoi se këto shifra nuk përputhen me realitetin e tregut të punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.


“Tregu ofron paga më të larta nga ato që deklarohen. Në ndërtim kemi konstatuar nëndeklarim të theksuar të pagave. Do të orientohemi drejt formalizimit të tregut të punës, rritjes së deklarimit të pagave dhe rritjes së xhiros së deklaruar. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pagat reale në këtë sektor janë më të larta”, u shpreh Malaj.


Administrata Tatimore, në nëntor të vitit 2025, ndërmori një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi, duke dërguar 13 mijë e 418 mesazhe të personalizuara për subjektet që operojnë në sektorin e ndërtimit. Pas kësaj nisme, rreth 118 mijë punonjës përfituan rritje page me rreth 9% në muajin dhjetor 2025, krahasuar me shtatorin e po atij viti.

Ministri sqaroi se filozofia e kësaj nisme nuk ka qenë ndëshkimi, por ndërgjegjësimi i subjekteve për përmbushjen e detyrimeve tatimore. Megjithatë, ai theksoi se ka ende subjekte që nuk kanë reflektuar dhe këto janë tashmë të identifikuara për kontrolle të thelluara.


Kontrollet do të përqendrohen te subjektet që nuk kanë respektuar pagat dysheme të përcaktuara nga tatimet, të cilat hynë në fuqi më 1 dhjetor 2025. Sipas kësaj skeme, me përjashtim të sanitarëve që do të kenë pagë minimale 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarit e tjerë në sektorin e ndërtimit nuk duhet të deklarohen me pagë nën 80 mijë lekë.

Zbatimi i këtyre pagave dysheme pritet të rrisë automatikisht pagën mesatare në sektorin e ndërtimit nga 68 mijë lekë në rreth 85 mijë lekë të reja, duke reflektuar më mirë realitetin e tregut dhe duke ndihmuar në formalizimin e ekonomisë.

"KORCA BOOM"

"KORCA BOOM"


bottom of page