Tension në studio pas ndeshjes, trajneri shpërthen dhe largohet në mes të intervistës
- 1 day ago
- 2 min read
Dinamo dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, e cila përfundoi me rezultatin 1-1. Por përtej barazimit në fushë, vëmendjen pas ndeshjes e ka marrë përplasja e fortë në studio mes trajnerit Edi Martini dhe moderatorës Hygerta Sako.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u shfaq i tensionuar në një lidhje televizive, duke kërkuar publikisht një ndjesë nga moderatorja. Ai deklaroi se nëse nuk merrte falje, do të bojkotojë intervistat deri në fund të sezonit.
“Jam këtu për respekt të tifozëve shkodranë dhe gjithë Shqipërisë. Nëse kjo zonja nuk kërkon falje, nuk do të flas më deri në fund të sezonit. Nuk mund të tallet me njerëz me ngjyrë dhe të më quajë të paedukatë”, u shpreh Martini.
Nga ana tjetër, moderatorja Hygerta Sako kundërshtoi menjëherë akuzat, duke theksuar se nuk kishte arsye për të kërkuar falje. Ajo e cilësoi reagimin e trajnerit si të papërshtatshëm dhe jo etik.
“Falje për çfarë? Ju e nisët me një ironi të pavend dhe më pas kthyet një përgjigje jo etike ndaj një pyetjeje profesionale. Nuk kam pse të kërkoj falje”, deklaroi Sako.
Debati u tensionua më tej, duke bërë që Martini të largohej nga intervista live, ndërsa theksoi se do të bojkotojë çdo dalje publike për sa kohë moderatorja do të jetë pjesë e programit.
Pas largimit të tij, Sako iu drejtua publikut duke mbrojtur qëndrimin e saj dhe duke nënvizuar se sjellja e trajnerit nuk ishte në përputhje me standardet e një programi serioz sportiv si “Supergol”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Federata Shqiptare e Futbollit do të ndërhyjë për të qartësuar situatën dhe për të adresuar konfliktin mes palëve.
“KORÇA BOOM”
















