E kam duruar prej vitesh/ Moderatorja i përgjigjet ashpër akuzave
- 14 hours ago
- 2 min read
Moderatorja Hygerta Sako ka reaguar publikisht pas debatit të fundit në studio me trajnerin Edi Martini, duke dhënë versionin e saj për situatën dhe duke sqaruar se përplasja mes tyre ka rrënjë më të hershme.
Në reagimin e saj, Sako thekson se nuk kishte ndërmend të prononcohej, por u detyrua pas deklaratave që i konsideron fyese dhe jo etike ndaj saj.
Sipas saj, gjithçka nis që në vitin 2021, gjatë organizimit të eventit “Më të mirët e Vitit” nga RTSH Sport, ku Martini, sipas saj, ka mbetur i pakënaqur nga rezultati i votimit për trajnerin më të mirë.
“Votimi ka qenë transparent nga 7 specialistë të njohur të futbollit, ku shumica zgjodhën Thomas Brdaric si trajnerin më të mirë. Unë kam qenë vetëm moderatore dhe nuk kam pasur asnjë rol në vendimmarrje,” shprehet ajo.
Sako pretendon se që prej asaj kohe, Martini ka mbajtur një qëndrim negativ ndaj saj, duke mos kursyer ofendimet në rrethin profesional.
“Edhe pse kjo ka ndodhur, unë e kam trajtuar gjithmonë me respekt në çdo dalje televizive, duke ruajtur etikën profesionale,” shton ajo.
Duke iu referuar ngjarjes së fundit, moderatorja thekson se Martini e nisi intervistën me ironi të pajustifikuar dhe më pas reagoi në mënyrë jo etike ndaj një pyetjeje profesionale.
“Një trajner nuk mund të sillet në mënyrë jo etike me gazetarët dhe më pas të pretendojë se është i fyer,” shprehet Sako, duke shtuar se Martini është dënuar disa herë nga Komisioni i Disiplinës për sjellje të papërshtatshme.
Në fund të reagimit të saj, ajo shpreh respekt për qytetin e Shkodrës dhe klubin Vllaznia, por i bën thirrje drejtuesve të klubit që të reflektojnë për sjelljen publike të trajnerit të tyre.
“Kam 12 vite që punoj për t’i dhënë vlerat që meriton kjo skuadër. Para se të bëhen deklarata ndaj meje, duhet të shikohet sjellja e trajnerit,” përfundon Sako.
“KORÇA BOOM”
















