top of page

Vr*u bashkëshorten në Greqi, dënohet me burgim të përjetshëm 41-vjeçari Pandeli Nakoleci

8 minutes ago
1 min read

Gjykata e Përzier Penale e Trikalave në Greqi ka dënuar me burgim të përjetshëm 41-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i cili vrau bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola Nakoleci, në gusht të vitit 2025 në Volos.


Vendimi është marrë unanimisht më 23 nëntor, pas përfundimit të procesit gjyqësor. Krahas burgimit të përjetshëm për vrasjen, 41-vjeçari është dënuar edhe me një vit burg për armëmbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës.


Trupi gjykues e shpalli Nakolecin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë psikike, duke rrëzuar pretendimet e mbrojtjes se ai kishte vepruar në një gjendje të rënduar emocionale.


Gjykata nuk pranoi as kërkesat për përgjegjësi të reduktuar psikike dhe njohjen e rrethanave lehtësuese.


Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 gusht 2025, në hyrje të pallatit ku jetonte familja në qytetin e Volosit. Sipas mediave greke, 41-vjeçari sulmoi me një objekt të mprehtë bashkëshorten e tij, nënë e katër fëmijëve, duke i shkaktuar plagë të shumta. Një goditje në zemër rezultoi fatale për 36-vjeçaren.


Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe katër fëmijët e çiftit, të moshave 19, 17, 14 dhe 6 vjeç, të cilët ndoqën procesin, por nuk u thirrën për të dëshmuar.


Sipas prokurorisë, provat e administruara gjatë gjykimit nuk mbështetën pretendimet e të pandehurit se krimi kishte ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit apo në kushte të një tronditjeje të fortë emocionale.


Pas shpalljes së vendimit, avokatja e familjes së viktimës, Antonia Ballous, e cilësoi dënimin si vendosje të drejtësisë për Marjolën, fëmijët dhe familjarët e saj.

“KORÇA BOOM”


bottom of page