Tentoi të vr*ste gruan duke hedhur makinën në det, arrestohet 45-vjeçari shqiptar
- 11 hours ago
- 1 min read
Karabinierët italianë kanë ndaluar 45-vjeçarin Ismail Picari, i dyshuar se ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij 44-vjeçare, duke drejtuar automjetin me të cilin udhëtonin drejt detit në portin e Cattolica-s, në provincën e Riminit.
Sipas të dhënave të hetimit, burri e kishte ftuar bashkëshorten të dilnin me makinë, duke i thënë se do të shkonin për të bërë pazar. Por, pasi mbërritën në zonën e portit, ai dyshohet se ka përshpejtuar dhe e ka drejtuar automjetin drejt ujit.
Makina fillimisht ka përplasur një shtyllë dhe më pas ka përfunduar në det, në një zonë rreth tre metra të thellë.
45-vjeçari ka mundur të dalë nga automjeti, ndërsa gruaja ka mbetur brenda, teksa makina po mbushej me ujë. Ajo ka arritur të çlirohet përmes xhamit të pasmë. Disa persona që ndodheshin në breg kanë ndërhyrë menjëherë, duke u futur në ujë dhe duke ndihmuar çiftin të dilte në breg.
Gruaja është transportuar në spitalin e Pesaros për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore. Ndërkohë, burri është larguar nga vendngjarja, por është lokalizuar më vonë nga autoritetet pranë një zone të pyllëzuar.
Ngjarja vjen vetëm një natë pas një tjetër episodi të dyshuar të dhunshëm. Sipas hetimeve, Picari ishte arrestuar pas një konflikti familjar, gjatë të cilit dyshohet se kishte kërcënuar dhe dëmtuar një automjet policie, ndërsa dy efektivë kishin marrë plagë të lehta.
Pas veprimeve hetimore, 45-vjeçari është ndaluar me akuzën e tentativës për vrasje dhe i është dorëzuar Prokurorisë së Riminit./ JOQ Albania
“KORÇA BOOM”
















