Tezja e Daorsa Spahijas: “Dyshojmë se ajo nuk është vetëv*arë” – Familja kërkon zbardhjen e plotë të rastit
- Korca Boom
- Nov 18
- 1 min read
Familjarët e Daorsa Spahijas, studentes së mjekësisë që ndërroi jetë në Tetovë, vazhdojnë të kërkojnë sqarime të plota mbi rrethanat e ngjarjes. Në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, tezja e 19-vjeçares ka deklaruar se familja dyshon që vdekja e saj nuk ka qenë vetëvrasje, por se mund të jetë shkaktuar nga i dashuri i saj.
Sipas tezes, Daorsa kishte ambicie të mëdha akademike dhe po planifikonte të vijonte doktoraturën në Tiranë, ndaj familjarët nuk besojnë se ajo mund të kishte mendime vetëvrasëse. Ajo pretendon se i riu me të cilin Daorsa ishte në një lidhje ushtronte presion dhe xhelozi të vazhdueshme.
“Ka pasur kërcënime dhe xhelozi të madhe. Ne kemi gjetur disa prova dhe komunikime mes tyre,” – deklaroi tezja, duke shtuar se vajza i kishte treguar më herët për presionin emocional që i dashuri i saj ushtronte mbi të.
Tezja ka pohuar se ditën e ngjarjes ka komunikuar me mbesën përmes videos, dhe se ajo nuk ka shfaqur asnjë shenjë shqetësimi. Ajo gjithashtu shprehu habinë se përse personi i përmendur nga familja është ende i lirë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar për rastin. Prokuroria dhe policia e Tetovës vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo për një ngjarje të dyshimtë që kërkon përgjegjësi penale.
Familja e të ndjerës ka kërkuar që çështja të hetohet deri në fund, duke apeluar për transparencë dhe drejtësi.
"KORCA BOOM"



















