Tifozët humbasin kontrollin: Godasin gjyqtarin me gotë, ndërpritet ndeshja në minutën e 87-të
- Korca Boom
- Oct 18
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë tronditi futbollin belg të premten në mbrëmje, kur ndeshja mes Standard Liège dhe Royal Antwerp në Stade Maurice Dufrasne u ndërpre në minutën e 87-të, pasi gjyqtari Lothar D’Hondt u godit nga një gotë e hedhur nga tribuna.
Standard Liège kaloi në epërsi që në minutën e parë me golin e Rafik Said, por situata u vështirësua për vendasit kur Adnane Abid u ndëshkua me karton të kuq para përfundimit të pjesës së parë, duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë.
Teksa Antwerp po shtonte presionin për të barazuar rezultatin, në minutën e 87-të, gjatë një situate loje të ndërprerë, gjyqtari Lothar D’Hondt, 31 vjeç, qëndronte pranë vijës anësore, kur një gotë u hodh nga tribuna dhe e goditi atë në shpinë. Më pas, e njëjta gotë u përplas edhe në krahun e mesfushorit të Standardit, Tobias Mohr.
Pas incidentit, gjyqtari vendosi të ndërpresë menjëherë ndeshjen, ndërsa autoritetet e sigurisë ndërhynë për të identifikuar personin përgjegjës. Federata e Futbollit të Belgjikës pritet të marrë masa disiplinore, ndërkohë që të dyja klubet janë në pritje të një vendimi zyrtar për fatin e kësaj ndeshjeje.
“KORÇA BOOM”



















