Trafik ndërkombëtar droge dhe sekrete të zbuluara: SPAK dhe autoritetet italiane godasin grupin kriminal shqiptar
- Korca Boom
- 12m
- 2 min read
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar fazën kryesore të hetimeve për procedimet penale nr. 49/3 (viti 2023, ish nr.49 viti 2019) dhe nr. 29 viti 2024, që lidhen me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave, korrupsionin dhe disa vepra të tjera penale sipas Kodit Penal.
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lejoi kontrolle në shtëpitë dhe ambientet e 21 personave nën hetim. Kontrollet u kryen sot, më 27.11.2025, nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.
Hetimet u zhvilluan në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë
Distrektuale Antimafia në Breshia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Autoritetet italiane zbuluan veprimtarinë e një grupi kriminal kryesisht shqiptar, i cili trafikonte lëndë narkotike ndërkombëtare. Sipas hetimeve, grupi importonte kokainë nga Amerika e Jugut në Europë, përmes rrugëve detare dhe më pas e shpërndante në Itali me automjete të tonazhit të rëndë.
Autoritetet italiane sekuestruan mbi 1.300 kg kokainë, e cila ishte ruajtur dhe magazinuar në 6 baza operative të grupit. Përveç drogës, grupi mblidhte paratë e fituara nga shitja dhe i transferonte tek drejtuesit përmes “money mules”, duke përfshirë edhe disa shoferë autobusësh që operonin në linjën Itali-Shqipëri.
Gjatë veprimtarisë së sotme hetimore janë arrestuar në flagrancë 10 persona, janë sekuestruar mbi 550.000 euro cash, 10 automjete, 1 pistoletë gjysmëautomatike dhe 130 kg drogë (kokainë dhe heroinë) që mund të kishte vlerën e rreth 12 milionë eurove në treg.
Nga 24 personat për të cilët u vendosën masa sigurie, 6 ndodhen në Shqipëri, ndërsa 3 prej tyre janë arrestuar. Hetimet treguan gjithashtu se një oficer i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë ushtrimit të detyrës, kishte zbuluar të dhëna sekrete hetimore personave të dyshuar dhe kishte kërkuar përfitime monetare për këtë, duke shkelur ligjin dhe detyrën zyrtare.
"KORCA BOOM"



















