Tragjedi / 49-vjeçari, rrëzohet gjatë punës dhe humb jetën
Një 49-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Greqi, pasi u rrëzua nga një skelë gjatë punës. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së premtes, më 9 tetor, teksa ai po kryente punime lyerjeje.
Sipas mediave greke, shqiptari u rrëzua nga një lartësi prej rreth dy metrash në fshatin Kato Kamila, në zonën e Serresit. Rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Si pasojë e rrëzimit, 49-vjeçari pësoi dëmtime të rënda në kokë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Serresit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të marra.
Sipas gazetës greke “Kathimerini”, viktima ishte baba i dy vajzave të mitura.
Ndërkohë, Policia e Serresit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në vdekjen e punëtorit shqiptar.
“KORÇA BOOM”
















