top of page

Tragjedi / 36-vjeçari humb jetën gjatë punës në tokën bujqësore

  • Mar 2
  • 1 min read

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në fshatin Peshtan Bregas, Njësia Administrative Frakull, Bashkia Fier, ku një 36-vjeçar i identifikuar si H. D humbi jetën gjatë punës në tokat bujqësore.


Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes dhe Drejtoria Vendore e Policisë Fier, i riu kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë. Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar mbi trup, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.


Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët u shqetësuan pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes, por nuk mundën të shpëtonin jetën e 36-vjeçarit.


Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të sakta të aksidentit. Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal gjatë përdorimit të mjeteve bujqësore dhe nxisin respektimin e masave të sigurisë, duke theksuar rrezikun e lartë që paraqet puna në këtë sektor.

"KORCA BOOM"


bottom of page