Tragjedi, i dyshuari ish-futbollist qëllon për vd*kje vëllanë
- 3 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në qytetin e Klinës, në Kosovë, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 15:10, kur dy persona, që dyshohet se janë vëllezër, janë përfshirë në një përplasje që ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.
Gjatë konfliktit, njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj tjetrit, duke e plagosur rëndë. Viktima, Faruk Isufi, është transportuar fillimisht në emergjencën e Klinës dhe më pas në Spitalin e Pejës për trajtim më të specializuar.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë pak para se të nisej drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Policia ka bërë të ditur se në vendngjarje është sekuestruar arma e përdorur, si dhe tri gëzhoja, ndërsa një person është arrestuar si i dyshuar për ngjarjen.
Sipas raportimeve, i dyshuari është vëllai i viktimës, Jetmir Isufi, i cili më herët ka qenë futbollist i klubit KF Dukagjini. Dyshohet se ai ka qëlluar disa herë me armë pas një mosmarrëveshjeje verbale mes tyre.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar se njësitet policore dhe Prokuroria ndodhen në vendngjarje dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar çdo detaj që çoi në këtë konflikt fatal brenda familjes.
“KORÇA BOOM”
















