Tragjedi në familje: Babai sulmon me th*ikë gruan dhe vajzën e mitur të dyja në gjendje kritike
- Korca Boom
- Oct 17, 2025
- 2 min read
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 17 tetorit në Prizren, ku një burrë ka sulmuar me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tyre të mitur, duke i plagosur rëndë. Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar menjëherë pas ngjarjes dhe se ndaj tij do të kërkohet masa e paraburgimit.
Ngjarja u raportua në orën 00:20, kur patrulla policore mbërriti në vendngjarje dhe hasi fillimisht bashkëshorten e të dyshuarit në rrugë, me plagë të shumta dhe gjakderdhje të shkaktuara nga thika. Policët i ofruan ndihmën e parë në vend, deri në mbërritjen e ekipit të urgjencës.
Ndërkohë, në katin e fundit të banesës u gjet edhe vajza e mitur e çiftit, e cila kishte plagë të rënda në trup dhe po ashtu gjakderdhje të dukshme. Të dyja viktimat u dërguan menjëherë në spitalin rajonal të Prizrenit, ku mjekët konfirmuan se gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.
Autori i dyshuar u arrestua nga policia në hyrje të banesës dhe ndodhet tashmë në paraburgim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivet që çuan në këtë akt dhune të rëndë.
Rasti ka rikthyer vëmendjen tek fenomeni i dhunës në familje në Kosovë, e cila ka shënuar rritje shqetësuese gjatë viteve të fundit. Vetëm në vitin 2024 janë raportuar 2.959 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2023 ishin 2.460 raste. Në pjesën dërrmuese të tyre, viktimat janë gra dhe fëmijë.
Nga viti 2010 e deri më sot, rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë si pasojë e dhunës në familje, dy prej të cilave gjatë vitit të kaluar. Autorët në shumicën e rasteve kanë qenë bashkëshortët ose ish-bashkëshortët e viktimave.
“KORÇA BOOM”



















